Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi këtë të hënë nga detyra prokuroren e Kurbinit, Ajola Prençi.
Gjatë seancës dëgjimore të premten më 22 tetor, prokurorja Prençi dha shpjegime për balancën negative të konstatuar për blerjen e një apartamenti si dhe për një raport negativ të DSIK-së, që bazohej në informacionet lidhur me bashkëshortin ish-prokuror të dënuar për korrupsion.
Prençi deklaroi se nuk e kishte fshehur ngjarjen e bashkëshortit dhe theksoi se zgjidhja e çështjes së tij u takon organeve të drejtësisë.
Vetingu për prokuroren Prençi u krye nga trypi gjykues i kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun.
Ajola Prençi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe për një dekadë e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Shkodrës.
Në vitin 2014, ajo u emërua në Prokurorinë e Matit, ndërsa prej vitit 2016 e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Kurbinit.