Në sezonin e vjeljes së ullirit, fermerët e Fierit ankohen për shkak të mungesës së tregut. Sipas tyre abuzimi me vajin i ka penalizuar ata. Ndërkohë i njëjti shqetësim vjen dhe nga Elbasani, ku AKU paralajmëron kontrolle të rrepta për fabrikat e përpunimit të ullirit.
Në të gjitha zonat ku kultivohet ulliri në vendin tonë, ka nisur vjelja e tij. Një pjesë e madhe e tij shkon për prodhimin e vajit, dhe pjesa tjetër për konsum.
Por shqetësim për fermerët në Fier mbetet tregu, veçanërisht për prodhimin e një viti më parë për shkak të abuzimit me vajin jocilësor që hidhet në treg.
"E kemi problemin te vaji i ullirit jo te prodhimi.Vaji ka mbetur pa shitur nga vjet për shkak të abuzimeve të firmave të tjera që e përziejnë vajin me vaj tjetër dhe ulin çmimin."
"Kam që vjet 2-3 kuintal pa shitur."
Në këtë situatë, ata kërkojnë ndërhyrjen e shtetit, si rregullatori i vetëm.
"Është detyrë e shtetit ti kontrollojë dhe vlerësojë."
Nisur nga situata e abuzimit, i njëjti shqetësim vjen dhe nga Elbasani, ku Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në këtë qark apelon qytetarët që blejnë produktet e vajit vetëm në pikat e licensuara, ndërsa paralajmëron për kontrolle të rrepta.
"Do të jemi gjatë gjithë kohës në terren me qëllim që të formalizohen dhe plotësojnë ato standarde që u kërkon ligji i ushqimit."
Ndryshe nga një vit më parë, këtë vit në Elbasan duket se prodhimi i ullirit nuk ka dhënë të njëjtin rendiment.