Një lajm i nxjerrë këto ditë në media, solli shkëndijën, duke i vënë flakën rrjetit, se një hetim intensiv ishte nisur nga prokuroria e posaçme SPAK, kundër pronarëve të Call-Centerave.
Ky hetim duket, se ka vënë përpara rreth 15 subjekte, biznesi që operojnë në Tiranë në fushën e tele-marketingut, dhe nuk është hetim i nisur këto dy-tre ditë.
Hetimi ka nisur këtu e 4 vite më parë dhe as SPAK-u as prokuroria e Tiranës, nuk kanë mundur ti çajnë dot.
Dosjet e ardhura nga Gjermania, Holanda, Belgjika, Zvicra e disa vende të tjera në Afrikë, kanë qenë në kuadër të verifikimit, pra të procedurës së ekzekutimit të një letër porosie, që kishin dërguar këto shtete në Shqipëri.
Kjo pasi qytetarët e tyre ishin mashtruar me shuma të mëdha financiare dhe aq më tepër që një raport i Drejtorisë së Pastrimit të Parave, evidentonte hyrjen e shifrave të mëdha financiare në llogaritë e këtyre kompanive të telekomunikacionit.
Sipas Drejtorisë së Pastrimit të Parave, transaksione me shifra të mëdha parash, kishin mbërritur nga disa vende të Afrikës dhe Evropës, në bankat e nivelit të dytë në Tiranë.
Hetimi në fillim ka nisur për pastrim të produkteve të veprës penale, pasi dyshohej se ishte bërë një mashtrim i madh, dhe ndaj këtu e 4 vite më parë dosja i kaloi Krimeve të Rënda në atë kohë.