Qeveria ka miratuar këtë të mërkurë vendimin që i hap dritën jeshile Gardës së Republikës që të përdorë mjete të blinduara rast pas rasti sipas vlerësimit të të ministrit të Brendshëm.
Në pikat 7 dhe 8 të VKM-së thuhet se; “Garda e Republikës, për shërbime të veçanta, përdor mjete lëvizëse të blinduara. Numri limit i mjeteve, afati përdorimit të tyre dhe limiti vjetor kilometrik miratohen me urdhër të ministrit të Brendshëm”.
Ndërkohë, në pjesën tjetër të VKM-së përcaktohen llojet e mjeteve të Gardës, ngjyra, logot, stemat dhe shenjat e tjera dalluese të tyre.
Sipas VKM-së, mjetet e transportit në përdorim të Gardës së Republikës janë mjete të uniformuara dhe jo të uniformuara, të cilat klasifikohen në: a) mjete rrugore; b) mjete lundruese; c) mjete ajrore.
Mjetet e uniformuara në përdorim të Gardës së Republikës përbëhen nga: a) ngjyra dhe shenja dalluese, të përcaktuara sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij; b) sisteme shtesë zanore për alarmin dhe sisteme shtesë për sinjalizimin pamor; c) targat e mjeteve rrugore, të përcaktuara për mjetet e Ministrisë së Brendshme, sipas akteve ligjore në fuqi.
VKM përcakton gjithashtu se të gjitha mjetet janë të kompletuara me pajisje speciale për sigurimin e jetës e realizimin e detyrës.