Prindërit po ngurojnë të vaksinojnë fëmijët të moshës 12 vjeç e sipër. Interesi në ditët e para të nisjes së vaksinimit është i ulët te kjo grup moshë.
Një prind thotë se vetë është i vaksinuar, por nuk ndjehet i sigurt që të vaksinojë fëmijën e tij.
“Po dëgjohet gjithçka për këtë vaksinën. Për fëmijën nuk vendoset kaq kollaj”, thotë ai.
Në ditët e para të nisjes së vaksinimit të fëmijëve 12 vjeç e sipër, interesi i prindërve për t’i vaksinuar ka qenë i ulët.
Vetëm në qendrën numër 6 në kryeqytet, qendër e cila ka nën kontroll mbi 2000 fëmijë, vetëm 10 prej tyre janë vaksinuar, edhe ato mbi moshën 16 vjeç.
“Interesi ka qenë i ulët, një pjesë e fëmijëve janë goxha skeptik për bërjen e vaksinës për fëmijët e tyre”, thotë Besar Hysi, mjek i familjes nga qendra shëndetësore nr. 6.
Ndryshe nga hezitimi për vaksinim të fëmijëve, personat mbi moshën 60 vjeçare tregojnë gatishmëri për vaksinimin me dozën e tretë përforcuese. Nga kjo grup moshë tregojnë gatishmëri për të bërë dozën e tretë të vaksinës.
“Pa diskutim fare, kam bërë dhe të gripit. Coronavac, nuk e ndërroj”, thotë një qytetar.
‘Patjetër, unë Pfizer dua”, thotë një tjetër.
“Në datën 3 nëntor do e bëj”, konfirmon një qytetar.
Doza e tretë e vaksinës për personat mbi 60 vjeç do të jetë e kompanisë së njëjte me dy dozat e para, por ka edhe përjashtime.
“Vetëm në rastet kur ka pasur probleme me dy dozat e para, atëherë mund të bëhet kombinimi me një vaksinë tjetër”, bën të ditur mjeku Besar Hysi.
Deri më tani në Shqipëri është vaksinuar rreth 31% e popullsisë.