Hapen aplikimet për drejtorin e Agjencisë së Donacioneve, ja kriteret që duhen plotësuar

Shqipëria

Hapen aplikimet për drejtorin e Agjencisë së Donacioneve, ja kriteret që duhen plotësuar

Më: 3 nëntor 2021 Në ora: 18:45
Foto ilustrim

Qeveria shqiptare ka hapur aplikimet për postin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.

Lajmi është bërë me dije përmes një njoftimi ditën e sotme nga institucioni i Kryeministrisë ku përcaktohen edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët që do të duan të garojnë për këtë post.

Mes të tjerash kandidatët duhet të jenë shqiptarë, të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet, ku 7 prej tyre në fushën e ekspertizës dhe/apo të administrimit publik, të ketë diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo“ Master profesional”, të përftuar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite.

Po ashtu theksohet se kandidatët nuk duhet të jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre apo të mos jenë larguar nga puna me masa disiplinore.

Kjo agjenci e miratuar në mbledhjen e mëparshme të këshillit të ministrave do të koordinojë të gjitha donacionet e huaja.

Sipas qeverisë, Agjencia ka si mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet e projektet zhvillimore, asistimin e strukturave vendimmarrëse për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.

Njoftimi i kryeministrisë:

Në mbështetje të pikës 3, të nenit 102, të Kushtetutës, të vendimit nr.173, datë 7.3.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose të ministrit”, dhe të krerëve III, pikat 1 e 2, dhe IV, pika 1, të vendimit nr.642, datë 29.10.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës”, Kryeministria shpall njoftimin për aplikim për funksionin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.

Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (në vijim, Agjencia) organizohet në nivel qendror, është në varësi të Kryeministrit, me seli në Tiranë.

Agjencia ka si mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet e projektet zhvillimore, asistimin e strukturave vendimmarrëse për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) dhe monitorimin e zbatimin e saj, ofrimin e mbështetjes metodologjike në hartimin e strategjive ndërsektoriale dhe sektoriale, me qëllim harmonizimin e tyre me SKZHI-në, si dhe monitorimin e zbatimit të tyre, koordinimin e procesit të administrimit të projekteve me interes kombëtar, ofrimin e mbështetjes për institucionet e administratës shtetërore për rritjen e kapaciteteve në fushën programeve dhe të projekteve zhvillimore.

⦁ Aplikanti duhet të plotësojë këto kritere:

a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të ketë diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo“ Master profesional”, të përftuar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike, ose të barasvlefshme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, në shkenca sociale, inxhinierike, juridike, ekonomike;
ç) Të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet, ku 7 prej tyre në fushën e ekspertizës dhe/apo të administrimit publik;
d) Të dallohet për aftësi profesionale dhe cilësi të larta etiko-morale;
dh) Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre
penale;
e) Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar, sipas legjislacionit në fuqi.

⦁ Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:

a) Kërkesë për aplikim;
b) Jetëshkrim (curriculum vitae) i kandidatit (secila faqe, e firmosur);
c) Kopje e diplomës së arsimit të lartë;
ç) Kopje e librezës së punës ose dokument i ngjashëm ose vetëdeklarim, për të vërtetuar përvojën e punës;
d) Vërtetim ose vetëdeklarim se nuk është larguar nga puna ose shërbimi civil me masë disiplinore ose që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
dh) Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar;
e) Formular të aplikimit (të plotësuar e të firmosur) për informim për zyrtarët përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta, në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
ë) Çdo dokument tjetër shtesë, që provon përmbushjen e kritereve të përzgjedhjes, sipas përcaktimit të pikës 2, të kreut III, të vendimit nr.642, datë 29.10.2021, të Këshillit të Ministrave.

⦁ Aplikantët të dorëzojnë një prezantim (10-15 faqe) në format Poëer Point lidhur me:

-filozofinë drejtuese për realizimin e misionit të Agjencisë, ushtrimin e përgjegjësive funksionale të saj, si dhe përmbushjen e detyrave, sipas përcaktimeve të vendimit nr.642, datë 29.10.2021, të Këshillit të Ministrave (vendim i publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 170, datë 2 nëntor 2021).

-strategjitë dhe risitë që mund të sjellë gjatë kryerjes së funksionit drejtues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat