Shqipëria premton reduktimin e gazit metan me 30 për qind brenda vitit 2030

Shqipëria

Shqipëria premton reduktimin e gazit metan me 30 për qind brenda vitit 2030

Më: 3 nëntor 2021 Në ora: 20:14
Foto ilustrim

Shqipëria është bërë pjesë e një koalicioni të udhëhequr nga SHBA dhe BE që synon reduktimin e gazit metan në atmosferë, në kuadër të zotimit për të kufizuar ngrohjen globale me 1.5 gradë celcius.

Sipas dokumentit të nënshkruara, vendet pjesëmarrëse në këtë pakt zotohen që të reduktojnë me 30 për qind nivelet e emëtimit të gazit metan në atmosferë brenda një dekade.

Në këtë nismë, sipas deklaratës së shpërndarë nga Departamenti i Shtetit, organizata dhe individë të ndryshëm kanë premtuar që të bëhen pjesë përmes mbështetjes me 328 milionë dollarë, ndërsa ndihmë financiare do të ofrojnë edhe BERZH dhe Banka Europiane e Investimeve.

Sipas përllogaritjes, mbajtja e këtij premtimi do të kufizonte me 0.2 gradë celcius ngrohjen globale deri në vitin 2050 dhe parandalonte rreth 200 mijë vdekje të parakohshme për shkak të këtij fenomeni.

Përveç SHBA, BE dhe Shqipërisë, pjesë e nismës janë edhe 102 shtete të tjera. Një prej faktorëve kreysorë çlirues të gazit metan, sipas studimeve është konsumi i mishit, që ka rritur kultivimin e bagëtive.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat