Grabitja me armë e noterit në Sarandë/ Bien në pranga 3 autorët

Shqipëria

Grabitja me armë e noterit në Sarandë/ Bien në pranga 3 autorët

Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 11:11
Foto ilustrim

Tre autorët e grabitjes me armë të noterit të njohur në Sarandë janë vënë në pranga.

Njoftimi i policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Butrinti”.   Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 20.10.2021, në lagjen nr.1, Sarandë, ku nën kërcënimin e armës dhe dhunës, shtetasit Thoma Kaçi (noter), në banesë, i morën një shumë parash. Vihen në pranga 3 autorët e dyshuar të ngjarjes.  Sekuestrohen 2 automjete dhe 4 aparat celular. Disa ditë pas ngjarjes, Policia gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit automatik të përdorur në këtë ngjarje.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, pas një pune hetimore të pandërprerë, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjes me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, të një shume parash në banesën e shtetasit Thoma Kaçi, ngjarje e ndodhur në datë 20.10.2021, në lagjen nr.1, Sarandë. Mbi bazën e provave të siguruara nga hetimi, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë nxori urdhrat e ndalimit për autorët e dyshuar.

Në këtë kuadër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Butrinti”, në kuadër të të cilit u bë kapja e tre autorëve të dyshuar dhe ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të caktuar nga Prokuroria për shtetasit:

Elis Avduli, 52 vjeç, lindur dhe banues në Konispol, i dënuar më parë në shtetin grek, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;

Oltjon Kolonja (Pula), 39 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Sarandë;

Vladrias Himaj, 34 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Sarandë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjetet e dyshuara të përdorura në këtë ngjarje dhe 4 aparate celular.

Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet shtesë iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat