Grabitja e biznesmenit Nazmi Çangu dy javë më parë në banesën e tij në Nikël tronditi vendin.
U raportua se në grabitje morën pjesë 10 persona që terrorizuan të gjithë familjen.
Mësohet se një nga autorët është identifikuar. Grupi hetimor bën me dije se identifikimi i tij është bërë nga ADN e fijeve të flokut në kapelen që policia sekuestroi në vendngjarje, si dhe provat e tjera të mbledhura aty.
Referuar burimeve, mësohet se i dyshuari është me origjinë nga Laçi dhe jeton në Tiranë. Për arrestimin e tij, policia organizoi pak ditë më parë një operacion në një zonë periferike të kryeqytetit, por në momentin e ndërhyrjes ai i shpëtoi forcave të rendit.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja ka ndodhur në orën 1 të natës, ku 10 persona të armatosur dhe të maskuar kanë hyrë në banesë dhe kanë vjedhur mbi 100 mijë euro. Grabitësit e maskuar pasi kanë mbyllur në një nga dhomat e banesës gruan dhe 4 fëmijët, më pas kanë marrë biznesmenin Nazim Çangu, të cilin e kanë rrahur, dhunuar dhe gjuajtur me qytën e armë. Duke e kërcënuar që të tregonte për çelësin e kasafortës, ata i kanë prerë edhe njërin gisht me gërshërë. Ata kanë arritur të marrin çelësin e kasafortës ku mbante paratë dhe sendet me vlerë.Grabitësit kanë marrë para kesh dhe florinj, që arrijnë vlerën e mbi 100 mijë eurove.