Fëmijët në Maliq mësojnë në shkollën me kushte ekstreme

Shqipëria

Fëmijët në Maliq mësojnë në shkollën me kushte ekstreme

Më: 5 nëntor 2021 Në ora: 00:55
Maliq

Në kushte ekstreme, në një ndërtesë të amortizuar, dhjetëra fëmijë në Maliq zhvillojnë mësimin çdo ditë.

Ata thonë se e kanë të pamundur të zhvillojnë mësim në të ftohtë dhe në një godinë që po shembet.

“Shkolla është shumë e ftohtë dhe zjarret nuk ndizen. Mezi sjellin dru. Nuk jemi ngrohur këto ditë që ka qenë ftohtë. Bankat e vjetra, janë xhamat e thyera, tavani i plasaritur. Ujë ka por me dhe. Banja është e prishur”, thotë një nxënës.

“Jam ne klase te 6. Të gjitha janë të prishura, të prishura, muret e çara, bankat e shkatërruara”, thotë një tjetër nxënës.

Prindërit e këtyre fëmijëve shprehen të revoltuar me institucionet përkatëse për mos ndërtimin e një shkolle të re.

“Unë jam nëna e kësaj vajze. Kur me erdhi vajza dje me këmbët e qullta, kjo nuk quhet shkollë, është haur për bagëtinë. Ç’bie jashtë, futet brenda. Era futet nëpër dritare, dru nuk ka”, thotë një prind.

“Kjo është shkolla jonë, kemi fëmijët këtu. Çka bie jashtë, futet brenda. U japim fëmijëve dru me vete, nëpër çanta. E rrezikshme është, tavani në rrezik, shiu brenda. Fëmijët mezi i rrisim e i sjellim këtu”, thotë një prind tjetër.

Nënkryetari i Bashkisë së Maliqit, Eri Rustemi tha se përgjegjësinë për këtë shkollë e ka Këshillit i Qarkut, i cili duhet t’i hapë rrugë projektit për rindërtimin e shkollës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat