Qeveria ka marrë vendimin për të ndaluar dhe për 10 ditë tubimet e grumbullimet masive, pavarësisht se kjo nuk zbatohet, edhe pse tashmë stadiumet mbushen plot.
Sipas vendimit të firmosur nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu do të vazhdojnë të jenë të ndaluara grumbullimet në vende të hapura apo të mbyllura, deri në datën 15 nëntor.
Vendimi i ministrisë së Shëndetësisë ishte në fuqi deri më 1 nëntor 2021, ndërsa sot është shtyrë deri në datë 15 të këtij muaji.
Vendimi është botuar ditën e sotme në fletoren zyrtare dhe ka hyrë menjëherë në fuqi.
URDHËR
Nr.375/4, datë 1.11.2021
PËR NJË NDRYSHIM NË URDHRIN NR. 633, DATË 17.11.2020,“PËR NDALIMIN E GRUMBULLIMEVE NË VENDE TË MBYLLURA APO TË HAPURA”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 7, pika 4, të ligjit nr.15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”; të udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-19, si edhe në zbatim të vendimit të Komitetit të Përkohshëm për Infeksionin e Përhapur nga Coronavirus i rinr. 4340, datë 22.10.2021,
URDHËROJ:
Në urdhrin nr.633, datë 17.11.2020, “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”, të ndryshuar, bëhet ndryshimi si vijon:
1. Në pikën 1 të urdhrit, togfjalëshi “deri në datën 1.11.2021”zëvendësohet me togfjalëshin “deri në datën 15.11.2021”.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
MINISTËR I SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE
Ogerta Manastirliu