Biznesmeni Ruzhdi Hoxha, 43 vjeç, është gjetur i vrarë paraditen e sotme.
Ai kishte dy javë që ishte zhdukur dhe nuk dihej adresa e tij.
Gazetarja Klodiana Lala ka raportuar se trupi i pajetë i 43-vjeçarit është gjetur në një humnerë në Qafë Mollë pas malit të Dajtit.
Sipas Lalës, hetuesit ndoqën itinerarin e mjetit të Rruzhdi Hoxhës.
“Fillimisht është gjetur një xhup me njolla gjaku dhe nisur nga kjo provë ka vijuar kontrolli me qen të kërkimit të gjurmës, FNSH e dhjetëra forca të DVP Tiranë dhe është arritur tek trupi i viktimës.
Burimet thanë se trupi i viktimës ka plagë me armë zjarri dhe dëmtime nga rrokullisja në humnerë”, është shprehur Lala.
Denoncimi për zhdukjen e tij ishte bërë nga vëllai në komisariatin numër 5 më 24 tetor.
Gazetarja Klodiana Lala ka thënë më tej se Hoxha kishte qenë duke pirë kafe diku pranë autostradës Tiranë-Durrës pasi është telefonuar nga miku i tij Ferdinand Rrushi dhe kanë lëvizur me makinën e tij në drejtim të Zall Herrit.
Mësohet se pas denoncimit, policia ka shoqëruar mikun e tij, teksa po mbahet për llogari të drejtësisë italiane e cila kërkon për çështje droge. Rrushi ka pasur dhe takimin e fundit me 43-vjeçarin.