Deputetja, Albana Vokshi, pranoi në studion e Rtv Ora se debati i brendshëm brenda Partisë Demokratike e ka kaluar në plan të dytë betejën me Ramën dhe mazhorancën socialiste.
Në cilësinë e kryetares së Komisionit të Shëndetësisë ajo deklaroi se Covidi ka shpërthyer nëpër shkolla ndërsa qeveria fsheh situatën.
Sipas saj kjo e fundit ka dështuar si me rindërtimin e shkollave ashtu dhe me marrjen në kohë të masave anti-Covid për garantimin e procesit mësimor.
Vokshi: Është e vërtetë, me dashje apo pa dashje i kemi shpallur luftë njëri-tjetrit. Nga slogani "koha e Edi Ramës ka mbaruar" tani po kalojmë "koha e Sali Berishës ka mbaruar". Nuk po merremi me atë me të cilin duhet të kemi betejën kryesore. Duke furnizuar çdo qytetar me problemet tona të brendshme nuk po bërtasim aq sa duhet për Covin që tashmë është në çdo shkollë, po mbyllen shkollat. Është mbyllur një shkollë në Borsh. Tani sapo më njoftuan se klasa te "Petro Nini" janë mbyllur apo te "At Zef Pllumi". Po fshihet situata. 25 mijë nxënës mësojnë me 2-3 turne se ka dështuar rindërtimi i shkollave.
Udhëtojnë me këtë transport, është rëndom. Ndërkohë që klasat në Elbasan, Tiranë dhe rrethe të tjera janë me 38 nxënës, të mbipopullura. Nuk ka asnjë masë mbrojtëse. Janë braktisur nxënësit dhe mësuesit. Ka rënë më së shumti këtë herë Covid te nxënësit sesa te mësuesit. Kush i mbron fëmijët? Nuk jam për mësimin online, ka lënë shumë hapësira boshe në marrjen e dijes te fëmijët. Por qeveria kishte kohë të mjaftueshme, pse nuk janë mbaruar shkollat? 111 shkolla ende të papërfunduara. Është dështimi i qeverisë me rindërtimin dhe marrjen e masave për pandeminë ndaj Shqipëria është e para në rajon për niveliun e vdekshmërisë. Dështim total i qeverisë Rama dhe ne nuk po bërtasim aq sa duhet për këtë.