Operacioni “Skema”, policia informacion zyrtar: U sekuestruan pronat me vlerë 2 mln euro

Shqipëria

Operacioni “Skema”, policia informacion zyrtar: U sekuestruan pronat me vlerë 2 mln euro

Më: 9 nëntor 2021 Në ora: 16:25
Pamje nga vendi i ngjarjes

Policia ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me operacionin e koduar ‘Skema’ që u finalizua ditën e sotme në Durrës.

Policia bën me dije se janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasit: Enis Memli Xhaferi, 38 vjeç, Regan Agim Merdani, 30 vjeç, Roland Diellke Avdo, 39 vjeç, Ali Avni Agolli, 45 vjeç dhe Benn Haki Caka, 48 vjeç, banues në Tiranë.

Policia bën me dije se janë sekuestruar disa prona që arrijnë vlerën 2 milion euro.

Konkretisht është bërë sekuestrimi i:  

Një shoqëri e quajtur "Alfa Nikel",  në vlerën 1,200,000 Euro, në emër të shetatsit A.A, 

Një hidrocentral, së bashku me sipërfaqen e truallit 700m², ku ishte ndërtuar, në Dhërmi, në emër të shtetasit A.Xh, 

Një apartament me sipërfaqe 215 m², në emër të shtetasit E.Xh.

Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej shtetasve të arrestuar, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një kasë fiskale, e cila dyshohet se është përdorur për prodhimin e faturave fiktive.

“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar shoqëri fiktive, me qëllim mospagimin e detyrimeve tatimore, ndërkohë që kryenin punime në fushën e ndërtimit dhe fusha të tjera të padeklaruara në organet tatimore. Produktet janë blerë pa dokumente tatimore  dhe punimet janë kryer nga punonjës të paregjistruar dhe të padeklaruar në organet tatimore.”- njofton policia.

Nga ky aktivitet kriminal i skemave mashtruese me TVSH-të, shtetasit e sipërpërmendur, nëpërmjet subjekteve fiktive, nga mospagimi i detyrimeve tatimore në shuma të mëdha, kanë shkaktuar dëm ekonomik që kap vlerën e rreth 6 milionë euro.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, si dhe sekuestrimin e pasurive të tjera të përfituara nga ky aktivitet kriminal.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat