Një paketë e re pajisjesh teknike të domosdoshme për ndërhyrjet në raste zjarresh i është shtuar arsenalit të mjeteve të Shërbimit Zjarrfikës Gjirokastër si një donacion i “Shoqatës shqiptare për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimi”.
Të pranishëm në dorëzimin e mjeteve të reja ishte edhe drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës në Shqipëri, Alfred Kristuli. Për kryebashkiakun Golemi takimi ishte një mundësi diskutimi për ngritjen e shërbimit zjarrfikës, jo vetëm me investime në pajisje e infrastrukturë, por edhe në trajnime të ndryshme të domosdoshme për të patur një trupë gjithnjë e më shumë profesionale.
Shumica e bashkive të qarkut të Gjirokastrës nuk kanë mjete dhe logjistikë të mjaftueshme për të përballuar situatat emergjente. Vera e këtij viti regjistroi pasoja tragjike për shkak të zjarrit në Gjirokastër ku përveç hektarëve të tëra sipërfaqe pyjore dhe kullosore, një çift bashkëshortësh humbën jetën si pasojë e zjarrit.
Si qarku më i rëndësishëm blegtoral në vend, Gjirokastra shënon çdo vit një shifër të lartë vatrash zjarri, kryesisht në kullota.