Zbulohet një skemë financiare e pastrimit të parave, pjesë e të cilit janë shtetas italianë, Rezart Taçi dhe një shtetas zviceran.
SPAK njoftoi sot se ka sekuestruar shumën prej 18 milionë euro, ndërsa ka shpallur në kërkim Rezart Taçin dhe ka arrestuar dy njerëzit e tij, Bledar Lilon dhe Artur Balla.
Nga kërkimet e kryera nga policia rezulton se Taçi ndodhet në shtetin e Zvicrës. Në Tiranë është arrestuar ish-truproja personale e Rezart Taçit, Bledar Lilo dhe Artur Balla i cili është kunati i Rezart Taçit.
Mësohet se Artur Balla është djali i gjyqtares së Tiranës, Dhurata Balla.
Në këtë hetim janë përfshirë dhe 3 shtetas italianë banues në Palermo. Të tre përfaqësojnë një seri biznesesh në Palermo dhe qytete të tjera dhe dyshohet se janë të lidhur me rrjetet mafioze të "Cosa Nostra" në këtë qytet, bën me dije gazetari i Ora News Elton Qyno.
Ajo që bie në sy të SPAK është mënyra se si janë kryer transaksionet dhe mënyra se si është arritur të pastrohet një shumë kaq e madhe parash në Shqipëri dhe duke hyrë në llogaritë bankare të personave të arrestuar.
Bëhet fjalë për pastrim parash në biznesin e naftës, Rezart Taçi ka qenë një nga personat kryesorë të tregtimit të naftës në Shqipëri.
Rezart Taçi nuk përfaqëson vetëm tregtimin e naftës në Shqipëri, por edhe krijimin e një sërë biznesesh të tjera. Shumica e këtyre bizneseve kanë falimentuar dhe Taçi nga të dhënat dhe verifikimet është pozicionuar në Zvicër prej disa vitesh.