Qyteti i Gurtë i Gjirokastrës, është i njohur për rrugicat e veçanta të kalldrëmta.
Në të gjithë qytetin, rrugët historike, deri më sot i kanë rezistuar kohës.
Fatkeqësisht, lagjja “11 janari” një ndër më të vjetrat në qytet, duket se dita ditës po humb identitetin .
Kalldrëmi i shtruar rreth viteve 60 duket se nuk do të jetë më i njëjtë.
Prej më shumë se 6 muajsh, rrugët e lagjes janë prishur dhe kalldrëmi është hedhur buzë tyre.
Banorët shprehen të shqetësuar për situatën, ndërsa e konsiderojnë edhe të rrezikshme.
"Po sikur të rrëzohem në mes të rrugës? Mezi eci, këto gropa na mungonin."
Thonë se është e disata herë që kanë ndërhyrë në këtë rrugë por punimet s’kanë përfunduar kurrë.
"E kanë lënë hapur gropën, të rrëzohen njerëzit. Ka me muaj të tërë i prishur."
Shkak për këtë situatë është bërë firma zbatuese e ndërtimit te ujësjellësit, e cila prej muajsh e ka lënë këtë aks në këtë gjendje.