Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka folur mbi ndikimin e Sali Berishës në vendimmarrjet brenda partisë, për të cilën ai shprehet se në opinionin e gjerë perceptohej një dualizëm mes tyre.
Në një intervistë ekskluzive për drejtorin e përgjithshëm të informacionit dhe programacionit në News24, Robert Rakipllari, Basha zbulon se shumë ekspertë të fushatave zgjedhore, e kanë rekomanduar moskandidimin e Berishës në zgjedhje.
Kryedemokrati sjell në vëmendje një rast në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës në vitin 2011 ku fitoi përballë kryeministrit aktual Edi Rama.
Sipas Bashës, çelësi i kësaj fitore ishte përjashtimi i Berishës nga fushata elektorale për Tiranën.
“Së pari dua ta them që unë jam i pari dhe i vetmi kandidat që ka mundur Edi Ramën në garën për Bashkinë e Tiranës. Nuk e kam thënë çelsin e fitores deri më sot por tani është momenti ta them. Ka qenë vendimi për përjashtimin e Berishës nga fushata në Tiranë. Gjatë këtyre viteve, ekspertë nga kompani të specializuara të fushatave elektorale, në bazë të studimeve të tyre na kanë rekomanduar moskandidimin e Sali Berishës në raport me interesat elektorale të PD-së.
Kjo ka të bëjë edhe me faktin se gjerësisht perceptohej një dualizëm në PD. Protagonizmi i Berishës merrte trajtat e një dualizmi. Unë kam përgjegjësitë e mia, ai duhet të ishte larguar vetë. Duhet të kishte lënë PD dhe kryetarin të hapë rrugët. Unë kam përgjegjësitë e mia për të lejuar këtë dualizëm. Janë vendime të konsultuara me të gjitha forumet e PD. Janë vendime të kërkuara me ngulm nga Berisha” – tha Basha.