Basha: S’kam konstatuar asnjë qëndrim ndryshe për pezullimin në raport me shpalljen non-grata të Berishës

Shqipëria

Basha: S’kam konstatuar asnjë qëndrim ndryshe për pezullimin në raport me shpalljen non-grata të Berishës

Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 17:52
Lulzim Basha

Kryedemokrati Lulzim Basha pohoi se ai nuk mund të komentojë vendimin e SHBA-ve për shpalljen non-grata të Sali Berishës, ndërsa shtoi se këto kohë ka takuar shumë zyrtarë amerikanë që kanë qenë unison në vendimin e tyre. 

Në një intervistë me drejtorin e Përgjithshëm të Informacionit dhe Programacionit, Robert Rakipllari në ‘News24’, lideri demokrat tha se nuk ka konstatuar asnjë qëndrim ndryshe për pezullimin në raport me shpalljen non-grata të Berishës.

Pyetje: Zoti Basha, ju ndërmorët një vendim për ta pezulluar liderin historik të Partisë Demokratike Sali Berisha me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por ka një perceptim të gjerë në opinionin publik se politika e Departamentit të Shtetit kanë qenë në favor të kryeministrit Rama, i cili i ka zgjeruar pushtet e tij, duke nisur nga pushteti lokal dhe reforma në drejtësi. Si do i komentoni këto zëra? 

Basha: Së pari unë nuk e komentoj vendimin e SHBA-ve. Së dyti, di t’ju them siç e keni pasqyruar gjatë gjithë kësaj kohe, kam komunikuar dhe kam vizituar nga një numër i lartë zyrtarësh të Senatit dhe kongresit dhe senatit amerikan, përfaqësues të të dy partive kryesore, partisë në pushtet dhe partisë Republikane, dhe kam konstatuar se ka një qëndrim në unison, s’ka asnjë dallim mes dy forcave politike sa i takon qëndrimit të SHBA ndaj pandëshkueshmërisë. S’kam konstatuar asnjë qëndrim ndryshe sa i takon hapit të marrë në raport me shpalljen non-grata të Berishës. 

Pyetje: Në vazhdim të ketij perceptimi dhe të pretendimeve të zotit Berisha, ky vendim sipas tij dhe nje pjesë te opinionit publik që e mbështesin është marrë nga Departamenti i Shtetit i lobuar nga multimiliarderi George Soros dhe kryeministri Rama për të fragmentizuar opozitën në Shqipëri dhe për ta dobësuar atë. Në planin afatshkurtër kjo po duket PD-ja sot është e përçarë. Ju si do t’i përgjigjeshit këtij perceptimi.

Lulzim Basha: Edhe njëherë vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një vendim që nuk e komentoj ndërsa qëndrimet e zyrtarëve të dy partive kryesore kanë qenë në unison. Për Shqipërinë në fokusin e tyre është dhënia fund e pandëshkueshmërisë dhe nuk ka patur asnjë qëndrim ndryshe nga ata zyrtarë të lartë, senatorë, kongresmenë republikanë në raport edhe me shpalljen e zotit Berisha non grata. Nuk e di se cilit qëndrim i referohet zoti Berisha ku shprehet se ka qëndrime të ndryshme. Sepse qëndrimet zyrtare të përfaqësuesve zyrtarë të Kongresit të Senatit dhe të administratës amerikanë kanë qenë në unison.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat