Një 47-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar ekstradohet nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë.
Mësohet se bëhet fjalë për shtetasitn Defrim Iseberi, 47 vjeç.
Ai është arrestuar nga autoritet policore në Mbretërinë e Bashkuar në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit Shkodër në vitin 2016 e ka dënuar me 8 vjet burgim për veprat penale "Vrasje me paramendim" dhe "Armëmbajtje pa leje".
Ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur me 16 tetor 1997 në Kukës.
47-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri shtetasin D. M., i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.
Ndërkohë po nga Interpol Tirana është ekstraduar drejt SHBA-së shtetasja amerikane/kanadeze , Lyda Yolanda Harris.
Interpol Tirana në bashkëpunim me zyrën e ARSO-I pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë kryen ekstradimin e shtetases Lyda Yolanda Harris drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ju dorëzua Marshall-ëve Amerikanë".
Arrestimi i saj u krye në vendin tonë në muajin gusht 2021, nga njësia policore speciale “Joint Shield”, në bashkëpunim me Interpol Tiranën me qëllim ekstradimi për në SHBA.
Ky subjekt ishte shpallur në kërkim nga autoritetet amerikane, pasi Gjykata e Distriktit Jugor të Kalifornisë, ka lëshuar urdhër arrestin ndërkombëtar të datës 28.07.2021, për kryerjen e veprës penale “Komplot për kryerjen ose pjesëmarrjen në një organizatë përmes aktivitetit shantazhues”, parashikuar nga titulli 18 i Kodit Penal të SH.B.A-ve, seksioni 1962 (d).
Mbështetur në Traktatin Dypalësh të Ekstradimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u bë ekstradimi nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.