Kuvendi u mblodh këtë të hënë në një seancë maratonë për buxhetin e vitit 2022.
Në prezantimin e projekt buxhetit, kryeministri Edi Rama tha se do të ketë vetëm rritje për pagat dhe pensionet.
Ai shpjegoi me radhë financimin që do bëhet në çdo sektor.
“Është një buxhet i ndërmjetëm mes fazës së emergjencës nga dy fatkeqësi, skema e tij është një arritje nga dy fatkeqësi që të jemi në rritje të nesërmen.
Zerojmë taksën mbi pagën 40 mijë lekët të reja, përgjysmojmë taksën mbi pagën 40–500 lekë, për forcat e kualifikuar nga 15-5 mln të vjetra, rrisim pagën për mësuesit, rrisim pagat për punonjësit që shërbejnë jashtë vendit të tyre në 150 përqind, dyfishojmë ndihmën ekonomikë për 15 mijë familje që kanë më shumë se 3 fëmijë nën 18 vjeç.
Akordojmë pagat për naftëtarët e Fierit, financojmë më 26 mld dollarë indeksimin e pensioneve. Financojmë lidhjet e reja, rimbursimin e barnave me 111 mln dollarë. Vaksinimin, po ashtu për herë të parë fillojmë edhe me programet kombëtare të arteve dhe zejeve, teknologjisë, sportit, me një financim të veçantë”.
Kryedemokrati Basha kundërshtoi Ramën, duke thënë që jo vetëm nuk ka rritje pagash, por shqiptarët po varfërohet çdo ditë e më shumë në tetë vitet e qeverisjes nga të majtët.
Sipas tij, janë shtuar qytetarët që nuk mund të blejnë as produktet bazë të jetesës, që po shtojnë listat e borxheve akuzoi qeveria se nuk po bën asgjë për ta.
“Çmimet vrapojnë dhe parakalojnë gjasme indeksimin e vobektë të rrogave dhe pensioneve.
E ndërkohë, për këtë valë të madhe të njerëzve të zhytur në varfëri dy vitet e fundit, që i shtohet atyre që nuk e kanë kërkuar shpëtimin nga mjerimi nëpërmjet largimit nga vendi, nuk ka asnjë plan nga ju. Në radhët e gjatë të njerëzve në vështirësi ekonomike, që përballen me pamundësinë për të shtruar sofrën për veten dhe fëmijët e tyre,. Të atyre që përditë shënojnë emrat në listat e pafundme të borxheve nëpër ushqimoret e Shqipërisë, mbeten të braktisurit e mëdhenj, sepse asgjë nuk është parashikuar për ta”.
Kryedemokrati u shpreh se “nuk duhet të jesh ekonomist, apo ekspert financash, që të kuptosh se si buxheti i shtetit po vendoset në funksion të klientëve të qeverisë”.
“Deri më tani plani kryesor që keni bërë të ditur është hapja e thesit për të dyshuarit e zakonshëm, oborrtarët e koncesioneve.
113 milion euro i kanë caktuar për PPP-të me njerëzit e tyre. Një shifër pesë herë më e lartë se fondi i parashikuar për indeksimin e fondeve. Ose 3 herë me e lartë se fondet vjetore që ndahen për ndihmën ekonomike për familjet në nevojë!”