Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka, ka gjetur një mënyrë se si mund të zgjidhen përplasjet e fundit brenda Partisë Demokratike sa i përket 4200 firmave të dorëzuara nga Sali Berisha për Kuvendin Kombëtar.
“Unë meqë gjendem në këtë pozicion mes palëve i kam propozuar palëve një zgjidhje që të ishte shteruese. Statuti nuk parashikon asnjë procedurë dhe palët nuk kanë besim të njeri-tjetri. Të dyja palët të caktonin nga një person, që mund të ishte për shembull për njërën palë Ivi Kaso dhe për palën tjetër mund të ishte Sekretari Orgnaizativ Ervin Minarolli. Mund të ketë edhe të tjerë. Ta çojmë procesin përpara. Kush të dojë të vijë në zyrën time me listat e delegatëve dhe të bëjmë verifikime, me telefon dhe pa telefon si të duan. Të ecim me këtë proces pa vazhduar me sulme ndaj-njeri tjetrit, me sulme, me dyshime që dëmtojnë PD-në. Nëse palët nuk e pranojnë zgjidhjen atëherë i bie që nuk e duan të ketë zgjidhje”, tha Paloka.
Deklarata e Palokës vjen pas mbledhjes së Sali Berishës që zhvilloi ditën e sotme me anëtarët e Kryesisë që janë pro tij për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.
Të pranishëm në këtë mbledhje me ish-kryeministrin ishin: Belind Këlliçi, Edi Paloka, Albana Vokshi, Gent Strazimiri, Aldo Bumçi, Ivi Kaso dhe Flamur Noka.
Pak ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha dorëzoi në PD 4200 firmat për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar.
Nëpërmjet tyre, Berisha kërkon largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë dhe marrjen vetë nën kontroll të partisë.
Nuk mungoi edhe një reagim nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi , i cili deklaroi se Berisha synon ta bëjë PD-në “bunker”. Ai shtoi se asnjë prej firmave nuk është sipas protokollit.