Duke folur për ngjarjen e rëndë të ndodhur dje në Fier, ku u vra një 8-vjeçar avokati Spartak Ngjela tha se dënimi me vdekje është pamundësi absolute dhe se nuk mund të vendoset pasi është një nga kushtet e BE-së sepse drejtësia nuk është e kulluar. Ai tha se nga llogaritjet e tij blerja me korrupsion e prokurorisë dhe gjykatës e ka rritur kriminalitetin me 30%.
Ngjela: Dënimi me vdekje është pamundësi absolute. Nuk mund të vendoset sepse është një nga pikat e BE-së. E ka kusht. Nuk bën gjë dënimi me vdekje sepse është hequr për gabime. Keni parë që kanë marrë pas disa vjetësh pafajësinë ata që janë pushkatuar. Dënimi me vdekje ka qenë defekt sepse drejtësia nuk është e kulluar. Kishin kohë që donin ta hiqnin dhe një nga çështjet është dhe kjo.
Burgimi i përjetshëm është e njëjta gjë, por në Shqipëri është shitur drejtësia.
Këto janë struktura kriminale. Shteti nuk i ndjek, nuk ka forcë të ndjekë krimin përmes një korpusi shkencor. Krimi në Shqipëri është i lirë. Krimi ecën me makina 200 mijë euro, kurse këta ecin me makina rrondokop. Do buxhet ajo. Unë që më 1994 kam deklaruar se qysh ka hyrë Shqipëria s’dihet kush do fitojë krimi apo shteti. Është korrupsioni shtetëror që ndihmon krimin. Ka marrëveshje të heshtur mes ndjekësve të krimit dhe politikës. Politika i thotë lëmë të vjedh drejtësinë, të shes drejtësinë. Prandaj e kemi krimin me kurbë të tillë. Këtu ka filluar lufta antikorrupsion, por ende nuk ka mbaruar. Reforma do shkojë, pa u bërë reforma nuk kemi shpresë. E ka mundur krimi shtetin.
Fakti është ky, ka bërë një krim ai, shikoni sa burg ka bërë. E ka blerë burgun. Nuk çanin kokë këta pse binin në burg se blinin lirinë. Dënoheshin kaq dhe pastaj faleshin. Kishte bërë një krim dhe bëri tjetrin. Nuk është ky i pari. Blerja me korrupsion e prokurorisë dhe gjykatës e ka rritur kriminalitetin me 30% sipas kalkulimit tim.
Me këtë pushtet gjyqësor që bënë këta që nga ‘92 e këtej kështu do përfundonim. Ka marrëveshje të heshtur, politika nuk i ka ngarë fare. Dhe kur e mori në dorë Washingtoni reformën në drejtësi, korrupsioni në parlament i binte ndesh, e zvarriste.
Nuk di emra, por di që janë të gjithë të korruptuar. Tani do presim se çdo bëjë SPAK. Kemi pohimin amerikan që tha, SPAK-un e drejtojmë ne. Ne kemi shpresë që do e drejtojnë ata. SPAK nuk ka filluar sepse ka disa arsye objektive, por mund të ketë dhe arsye subjektive. Arsye objektive është prova.
Përgjimet nuk janë prova. Kanë përgjime që duhet t’i kthejnë në prova, kjo është vështirësia e tyre. Janë në gjendje ta bëjnë këtë?
Risku është i lartë, por problemi është që ka një rregull. Antimafies italiane i dalin emra politikanësh në analet e saj.
Çfarë duhet bërë për të parandaluar ngjarje të tilla?
Ngjela: Nuk kemi korpus antikrim. Unë nuk kam ditur fare çfarë ka qenë mafia atje, Zheji ma ka zbërthyer luftën e tyre dhe ka qenë shumë e vështirë. Ata kanë qenë më të fortë se tanët por gjithsesi dhe pushteti gjyqësor në Itali është më i fortë se i joni. Nuk kemi korpus antikrim, këta dalin recidivistë, vrasin, kthehen, paguajnë ikin. Nuk ka vullnet politik. SPAK-u doli me një vullnet të çalë politik. Vullnetin antikrim të politikës nuk po e shohim.