Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu ditën e sotme është takuar me ekspertët e Agjencisë Anti-Korrupsion të Italisë (ANAC), Filippo Romano dhe Alex di Staso.
Mësohet se takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të nisur midis KLSH-së, OSBE-së dhe ANAC për forcimin e kapaciteteve profesionale të audituesve të KLSH-së në fushën e auditimit të procedurave të prokurimit dhe partneritetit publik-privat.
“Shehu i falënderoi ekspertët për ndarjen e eksperiencës së vyer të ANAC me audituesit e KLSH-së në sesionet e trajnimit të zhvilluara në datat 15-17 nëntor 2021 dhe nënvizoi se KLSH është e angazhuar për një bashkëpunim cilësor me organet e drejtësisë për referimin e rasteve të shkeljeve të procedurave të prokurimit. Ai theksoi se KLSH vlerëson çdo informacion i cili trajton çështje të shpërdorimit të fondeve publike, duke veçuar raportimet e mediave për çështjet që lidhen me prokurimin publik dhe koncesionet.”- thuhet në njoftimin e KLSH.
Shehu u shpreh se KLSH vlerëson aktivitetin dhe eksperiencën e ANAC dhe ky bashkëpunim i sapo nisur midis dy institucioneve do të jetë një vlerë e shtuar për ngritjen e kapaciteteve profesionale të audituesve të KLSH-së.
Ndërkohë Romano vlerësoi aktivitetin dhe qasjen e KLSH për të qenë një institucion aktiv në referimin e fenomeneve korruptive me fondet publike tek institucionet ligjzbatuese.
Kujtojmë se në tre ditët e trajnimit të zhvilluara në Tiranë me ekspertë të ANAC morën pjesë 50 auditues të KLSH-së.