Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një interviste për Euronews Albania tha se të gjitha partitë dhe aktorët publik që janë kundër qeverisë, janë të ftuar për t’iu bashkuar Partisë Demokratike në frontin opozitar.
“PD jo vetëm ka qenë e hapur, por ka sakrifikuar dhe do të vazhdojë të bëjë gjithçka, siç i takon partisë më të madhe, forcës më të madhe të opozitës, në mënyrë që të bashkojë të gjithë faktorët politikë por edhe faktorët jopolitikë në betejën me regjimin e Edi Ramës”, tha z. Basha.
Kreu i PD shtoi se Rama qëndron në pushtet jo përmes votës së lirë por “përmes aleancës me krimin e organizuar dhe oligarkët, një pakicë që i është mbivendosur shumicës”.
“Ne do të bëjmë gjithçka që në këtë betejë ta gjejnë veten të gjitha forcat politike pa paragjykim, të cilat janë përballë regjimit me shqiptarët kundër pakicës”, deklaroi z. Basha.