Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj këtë të martë është paraqitur në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka për të verifikuar një pjesë të firmave të delegatëve.
Në një video të publikuar nga zyra e Palokës, në praninë e kamerave të televizioneve, deputeti demokrat i telefonon një delegati të degës 5-së në Tiranë për ta pyetur nëse firma e vendosur në formularin e dorëzuar nga ish-kryeministri Berisha për të mbledhur Kuvendin Kombëtar të kësaj partie me datë 11 dhjetor ishte e tij.
Nga biseda mes Shehajt dhe delegatit, kuptohet se firma ishte vendosur me vullnet të plotë, ndërsa deputeti vazhdon me telefonatat e tij me delegatë të tjerë, veçanërisht në degët 5 dhe 7 në kryeqytet.
Me datë 10 nëntor, ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij dorëzuan firmat e mbledhura në selinë e PD-së, me qëllim mbledhjen e një Kuvendi Kombëtar me datë 11 dhjetor.
Ndërkohë ka pasur thirrje për dy Kuvende me data të ndryshme.
Më 15 nëntor, kryetari i PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha, në fjalën e tij gjatë takimit me anëtarët e Kryesisë së PD-së, ka theksuar se “11 dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD-së, në ditën e izolimit të PD-së”.
Kreu i demokratëve ka zyrtarizuar datën 18 dhjetor për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, e cila është kundërshtuar me forcë nga ish-kryeministri Berisha dhe mbështetësit e tij.
Në zgjedhjet parlamentare, Shehaj ka qenë një ndër deputetët më të votuar. Gjithashtu ai ka kandiduar për kryetar të PD-së, në zgjedhjet e mbajtura më 13 qershor.