Në Kombinat procesi i rindërtimit do të prekë mbi 300 familje të cilave u kërkohet nga bashkia Tiranë që në datën 1 dhjetor të lirojnë shtëpitë. Të zënë në befasi nga njoftimi i papritur banorët protestuan ditën e sotme, 25 nëntor duke kërkuar nga bashkia një zgjidhje për strehimin dhe vlerësimin e saktë të pronave të tyre.
Kërkesat e banorëve u mbështetën edhe nga deputeti i PD-së, Belind Këlliçi i cili hodhi akuza për abuzim me projektet e rindërtimit.
Këlliçi: Janë diku te 370 që unë kam informacion për momentin, janë me të sëmurë në shtëpi, janë me fëmijë, vajza shtatzëna, me halle dhe njerëz që kanë probleme nga më të ndryshmet. Befas para dy ditësh i erdhi dikush në derë, i la njoftimin që brenda datës 1 dhjetor duhet të dalin nga shtëpia."
"E kam me certifikatë pronësie. Mua më vjen letra, vendimi është marrë para një muaji. Do dalësh nga shtëpia për 4 ditë, na erdhi dje. Ku të shkojmë për 4 ditë me kalamajtë? E dyta, unë kam 94 metra katrorë, mua më vjen letra ke 24 metra katrorë."
"Unë nuk i dal nga shtëpia, ta harrojnë. Të nxjerr djalin që e kam ët sëmurë invalid rrugëve dhe unë të rri në shtëpi, asnjëherë. Janë 103 metra, të vijë ta ndajë Erion Veliaj."
Banorët refuzojnë të dalin nga shtëpitë pasi sipas tyre njoftimi i ka shkuar dje, 24 nëntor dhe i jepet afat vetëm 4 ditë. Për më tepër në letrat që kanë banorët në dorë pronat e tyre nuk janë vlerësuar si duhet.