Kuvendi kombëtar i Partisë Demokratike do të mbahet në 11 dhjetor. Kështu u shpreh nga Shkodra kryetarja e lidhjes demokratike të gruas Albana Vokshi, e cila thotë se tashmë fjalën e ka anëtarësia, pasi janë rreth 5 mijë firma të mbledhura.
“Është anëtarësia është parti. Një kryetar pa anëtarësi nuk është më kryetar. Më datën 11 dhjetor do të jetë kuvendi historik për PD-në. Do të merren vendime historike për rithemelimin, ringritjen, dhe mundësimin e PD-së një forcë të vërtetë opozitare për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës."
Kërcënimeve se do të përjashtohen nga partia nëse nuk i binden urdherave të kryesisë, deputetja e PD i jep këtë përgjigje.
“Unë jam me anëtarësinë. Jam në partinë e vërtetë Demokratike. Nuk ka kush më përjashton nga PD”
E pranishme në një takim me gratë dhe vajzat në Shkoder ku në fokus ishte dhuna në familje, ajo duke folur me nota shqetësuese për rastet në rritje, pranoi dështimin e amendamentit që miratuan 3 vite më pare.
Shkodra është një prej bashkive ku delegatët kanë firmosur në masë për mbajtjen e kuvendit më 11 dhjetor.
Ndërkaq këtë të shtunë dega e PD-së në Elbasan publikoi emrat e delegatëve që kanë firmosur për thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor dhe që kanë pranuar t’u publikohet emri.