Moti i keq ditën e sotme ka përfshirë disa qytete të Shqipërisë.
Policia rrugore ka njoftuar se për shkak të motit të keq, në disa segmente rurale ka rënie dheu e gurësh dhe prezencë të mjegullës, ndërkohë që po merren masa për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe vijueshmërinë e qarkullimit të automjeteve.
Po ashtu policia u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve që tregojnë kujdes në qarkullim.
“Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes, të qarkullojnë me shpejtësi të ulët, të vendosin rripin e sigurimit, të mos kryejnë për asnjë arsye parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të tregohen të vëmendshëm dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë dhe të autoriteteve të tjera shtetërore për rastet e bllokimit të rrugëve apo devijimin e lëvizjes.”- njofton polica.
Shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë në gadishmëri të plotë dhe prezent në të gjitha akset rrugore, për t'iu ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve në nevojë.