Reshjet e shiut dhe borës të kësaj fund vjeshte nxorën në pah rrugët problematike. Rrëshqitjet e gurëve izoluan banorët e Dukagjinit për më shumë se 24 orë, ndërsa bora e parë e bëri të pakalueshme për mjetet e vogla rrugën e sapo përfunduar të Thethit.
Rrëshqitjet e gurëve e dherave e bllokuan për 24 orë rrugën e Dukagjinit, duke izoluar banorët e kësaj zone të thellë malore.
Kryetarja e bashkisë Voltana Ademi pranon vështirësitë që krijohen në këtë rrugë dhe kërkoi investim prej qeverisë për rikonstruksionin e saj.
“Tre-katër pika, apo zona që rrugë ka pas shkarje, në këto momente që flasim rruga është e zhbllokuar. Ne e dimë shumë mirë që ajo rrugë kushton, por është e mira që të vijohet me projektimin ashtu siç është nisur dhe të vijojë pastaj me lote për të bërë rrugën.”
Rruga e Thethit, investim i ri i qeverisë shqiptare, po ashtu shfaqi probleme nga bora e parë e rënë, pasi mjetet e ulëta e kishin të vështirë qarkullimin.
Edhe pse ka kaluar në varësi të ARRSH, Ademi thotë se institucionet shtetërore duhet të ndërhyjnë kur nuk zbatohen kontratat e mirëmbajtjes prej firmave kontraktore.
“Nëse ata nuk mund të arrijnë, ne do të jemi të gatshëm të ofrojmë kapacitetin tonë për atë pjesë që Bashkia Shkodër administron.”
Rrëshqitja masive e gurëve, bllokoi për disa orë edhe aksin nacional Skuraj Burrel, një problematikë e vazhdueshme sa herë ka reshje shiu, pasi në shpatin e malit mungojnë rrjetat mbrojtëse.
Moti i keq me reshje shiu dhe erë të fortë ka përfshirë thuajse të gjithë vendin!
Përkeqësimi i motit dhe deti me dallgë ka detyruar pezullimin e lundrimit detar në Vlorë për mjetet e vogla dhe peshkarexhat deri më 30 Nëntor.