Anëtarët e tre familjeve, dy prej tyre vëllezër, kanë mbetur në qiell të hapur në mes të borës pasi pallati dy katësh në fshatin Shtyllë në Korçë u shkrumbua nga zjarri mbrëmjen e të dielës.
Shkak u bë oxhaku i njërës prej banesave.
Për të parë nga afër situatën ndërsa zjarri vazhdon ende aktiv në godinë ishte Altin Prifti, administratori i zonës.
Por nga Bashkia tha se ka marrë direktiva vetëm për ushqim e veshëmbathje.
"Sot kam kontaktuar me shefin e Emergjencave Civile të Bashkisë, më kanë urdhëruar të marr të dhënat e tre familjeve për sigurimin e ushqimeve dhe veshëmbathjeve si hap i parë pastaj do të flitet për akomodimin e tyre. Fshati Shtyllë nuk është në gjendje të mirë ekonomike, do përpiqemi ti ndihmojmë. Momentalisht janë strehuar te të afërmit e tyre. Njësia nuk ka asnjë mundësi, varemi nga Bashkia. Janë familje në nevojë dhe do ti ndihmojmë patjetër".
Vetë të prekurit nga kjo fatkeqësi thonë se duan një strehë mbi kokë.
Florent Meçkollari: Shtëpinë vjet e bëra të re, 10 milion e ca lekë. Të më ndihmojnë për njëfarë shtëpie. Gruaja u ngrit në 10 e gjysmë të darkës për të folur me djalin dhe më tha o burrë çohu se zjarr.U rashë me gurë xhamave komshisë tjetër, çohu se u përvëluam! Dola këmbëzbathur, kur vajta te oxhaku kishin marrë flakë 10-15 mijë metra katorë. Nuk kishim çfarë bënim, nuk nxorëm dot as plaçkat. Nuk dua lekë nga shteti, as bukë dhe veshëmbathje, i lutem të më bëjë një vend që të fus kokën. Dua një shtëpi se është dimri i gjatë, filllon sot dhe përfundon në fund të majit.
Me të njëjtën kërkesë është edhe Valdete Ibraj, që veç shtëpisë së saj zjarri ka djegur dhe shtëpinë e kunatit.
Është falenderuese që dolën të gjithë gjallë por sërish e frikësuar për të ardhmen.
Valdete Ibraj: Jemi 7 persona të familje. Ramë për të fjetur kur dëgjuam që kërcinin trarët. U hutuam fare, u ngritëm. Nusën e kisha shtatzënë, e mora dhe e zbrita poshtë. Ngrita dy djemtë, dy pleqtë dhe i nxora jashtë. Tmerr sa nuk ka më, nuk nxora një palë çorape. Vetëm rrobat e trupit kemi. I është djegur shtëpia dhe kunatit. Duam ndihmë, shtëpi ku të futim kokën. Mori flakë oxhaku i kunatit, me dru jemi këtu se nuk rrimë dot. Ndezim sobat. Këtë na bëri zjarri, na përvëloi.