Ish-nënkryetarja e PD Jozefina Topalli deklaron se ish kryeministri Sali Berisha ka përgjegjësinë e tij që nuk reagoi për situatën e krijuar në PD.
E ftuar në emisionin ‘Now’ në Euronews Albania, Topalli thotë se nëse të gjithë bashkë do të kishin ndërhyrë nuk do të ishte lejuar keqqeverisja 12-vjeçare.
“Z. Berisha ka përgjegjësinë si gjithë ne të tjerët, dikush më shumë dikush më pak, për heshtjen gjatë kësaj periudhe. Ndoshta është pak e vonuar. Në fakt po të kishim ndërhyrë pak më herët të gjithë bashkë, nuk do kishim lënë që të kishim një qeverisje siç e kemi sot, që shkon në 12 vite”, tha Topalli.
Topalli shton po ashtu se foltorja është shndërruar në një lëvizje demokrate ‘që ka energjizuar jo thjesht bazën e partisë por të gjithë shqiptarët’.
“Nëse në 11 dhjetor Berisha do t’i demonstrojë shqiptarëve emër për emër anëtarët për të thirrur kuvendin, nuk ka më 18 dhjetor”, tha Topalli.