Përkeqësimi i kushteve atmosferike ka detyruar autoritetet e portit të Durrësit që të pezullojnë daljen në det për mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit.
Situata po monitorohet nga ana e kapitenerisë, ndërsa vijon normalisht lundrimi i trageteve drejt Italisë dhe anasjelltas.
Pavarësisht detit të trazuar, mëngjesin e kësaj të premteje, mbërritën në Durrës dy tragete të linjës së Barit.
Edhe në Portin e Vlorës, për 24 orët e ardhshme u vendos që anijet e vogla të mos dalin në det. Kjo për shkak të dallgëve dhe erës së fortë.
Ndërkohë vonesa nga moti i keq pritet të ketë dhe në linjën e trageteve me Brindisin.
Problem mbeten dhe zonat malore në qarkun e Korçës.
Prej ditës së hënë fshati Panarit, krahas bllokimit, vuan mungesën e energjisë elektrike.
Nga reshjet e dendura të borës, janë rrëzuar disa shtylla te rrjetit elektrik
Ndërkohë punonjësit e OSHEE janë duke punuar, por ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit dhe dendësisë së borës.