Bashkia e Elbasanit e drejtuar nga Gledian Llatja ka dështuar që të shmangë krizën e paralajmëruar të mbetjeve pasi kompanisë aktuale i ka përfunduar kontrata. Duke e zhytur qytetin në mbeturina ndoshta edhe për festat e fundvitit , bashkia Elbasan nuk ka marrë masat të bëj tenderin e ri pasi kompania që e kishte kontratën deri tani nuk po operon më.
"Kemi pasur dhe një problematikë të shtuar me vetë kontratën e pastrimit, pasi ka një vit që kjo kontartë është në proces ankimimi," thotë Gledian Llatja.
Por fakt është që kreu i bashkisë Gledian Llatja ka dështuar në shmangien e krizës sipas të cilës kompanisë së pastrimit i ka përfunduar kontrata dhe momentalisht në Elbasan nuk ka një kompani pastrimi duke e zhytur qytetin në mbeturina.
Zyrtarët e Bashkisë e pranojnë krizën, duke thënë se kjo është një situatë e paprecedentë me të cilën po përballen.
"Është një situatë jo e zakontë. Qyteti i Elbasanit nuk ka qenë kurrë në të tilla kushte."
Sipas procedurave që nga hapja e tenderit e deri tek lidhja e kontratës pritet që kriza të zgjasë disa ditë ndoshta duk e zhytur qytetin deri në festat e fund vitit me mbeturina.
Edhe pse me kapacitete të ulëta pastrimin provizor e ka marrë përsipër ndërmarrja e bashkisë e cila largon mbetjet nga zonat rurale, dhe nuk ka mundësi të bëj pastrimin e territorit.
"Duke qenë se Agjencia e Shërbimeve publike është ajo që heq dhe mbetjet në fshat kjo ka shkaktuar një ditë vonesë në zonat e qytetit."
Ndërkohë rreth 300 punëtorë të kompanisë "Viktoia Invest" të cilët kanë dalë të papunë, i kanë zënë derën Gledian Llatjës duke i kërkuar zgjidhje.
"Bashkia na ka hedhur poshtë dhe të hedhësh poshtë 320 punëtorë me nga 5 apo 3 kalamaj që i ushqejnë me kët rrogën e vogël 230 mijë lekë, dhe këtë s'po na i japin më."
Disa bashki në Shqipëri janë përfshirë nga kriza e mbetjeve muajt e fundit, ndërsa edhe kryeministri Edi Rama e ka vendosur si prioritet pastrimin e territorit, por duket sikur të tijët janë duke dështuar njëri pas tjetrit.