Stuhi shiu e ere kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në zonat malore reshjet janë në formën e dëborës. Shkodra u përmbyt, fshatra në veri e jug të vendit mbeten të izoluar dhe pa energji elektrike. Probleme edhe në zonat bregdetare.
Moti i keq me reshje shiu e borë përfshiu vendin prej të premtes.
Këto pamje tregojnë situatën e krijuar në Shkodër.
Kolektorët nuk arritën të përballojnë prurjet intensive që zgjaten për rreth një orë e për pasojë uji në rrugë arriti disa centimetra.
Situatë e ngjashme nga Sheshi Nënë Tereza në qendër deri në lagjet periferike Parrucë, Xhabije e Rus.
Këmbësorët u detyrën të zhysin këmbët nën ujë ndërsa makinat ngjanin si varka!.
Në Alpe reshjet ishin në formën e borës që mban të izoluara rrugët drejt fshatrave të turistikë.
Në Korçë, fshati Panarit mbetet i izoluar prej 5 ditësh dhe bashkë me Selenicën, Pishën, Ballabanovën vuan mungesën e energjisë elektrike.
OSHEE thotë se stuhia ka dëmtuar 6 shtylla druri dhe 8 shtylla betoni si dhe janë këputur përcjellësa dhe izolatorë, ndërsa remonti vështirësohet nga dëbora që arrin në 40 cm trashësi.
Reshjet e dëborës me intensitet të lartë kanë krijuar probleme edhe në zonat malore të qarkut Berat
Aksi nacionale drejt Skraparit është e kalueshme, ndërsa rrugët drejt fshatrave: Potom, Baçkë, Leshnje, Gradec, Çukë dhe Qafë-Dërvi kalohet vetëm me zinxhirë.
Disa fshatra vuajnë mungesën e energjie elektrike për shkak të dëmtimit të rrjetit shpërndarës.
Reshjet e shiut që kanë përfshirë të gjithë vendin po krijojnë rrëshqitje dherash e gurësh në shumë rrugë nga veriu në jug, ndaj kërkohet kujdes.
Furtuna në zonat bregdetare ka detyruar pezullimin e lundrimit për anijet e vogla dhe Peshkarezhat në Vlorë dhe Durrës.
Tragetet e linjave me Italinë vazhdojnë lundrimin, por me vonesa për shkak të kushteve atmosferike.