Ramazan Rraja, Alesio Dobrozi dhe Rohan Brahimi janë 3 të rinjtë e shpallur në kërkim nga Policia e Lezhës për ngjarjen e 13 nëntorit në fshatin Zejman, ku në ambientet e një lokali mësynë disa persona të armatosur.
Detajet e këtij operacioni janë siguruar ekskluzivisht nga gazetari i Euronews Albania Merin Maçi, i cili raporton se autorët pas ngjarjes kanë udhëtuar drejt Dubait.
Mësohet se 3 personat e shpallur në kërkim janë strehuar në këtë shtet me personazhe të botës së krimit të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Ndërkohë nga hetimet e policisë ka rezultuar se për shkak të një konflikti të ndodhur më parë ndërmjet kushëririt të pronarit të lokalit dhe një shtetasi që është mik i personave të shpallur në kërkim, këta të fundit, kanë shkuar të armatosur në lokal dhe kanë kërkuar shtetasin me iniciale L. M.(K).
Ky i fundit në momentet e ngjarjes nuk ka qenë në ambientet e lokalit, por hetimet e prokurorisë thonë se 3 të rinjtë kanë dashur ta vrasin.
Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se shkak i konfliktit kanë qenë pazaret e drogës.
Për ngjarjen në fjalë nga ana e pronarit të lokalit nuk ka pasur denoncim në polici, por fillimisht është denoncuar në media nga vetë ky person.