Del rezultati i votimit të Kuvendit të Berishës, ja sa delegatë votuan pro shkarkimit të Bashës

Shqipëria

Del rezultati i votimit të Kuvendit të Berishës, ja sa delegatë votuan pro shkarkimit të Bashës

Nga: Bota sot Më: 11 dhjetor 2021 Në ora: 09:03
Kuvendi i PD-së në stadiumin “Air Albania”

(E plotësuar 19:30) - Kuvendi i Sali Berishës shkarkon Lulzim Bashën

Në Shqipëri, Kuvendi i thirrur sot nga ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, votoi për shkarkimin e kryetarit të PD-së Lulzim Basha “për thyerje të rënda të statutit të PD, përvetësim të kompetencave të organeve qendrore dhe dëm të rëndë të interesave politike dhe elektorale të saj”. Nga mbi 490o delegatë që u njoftua se merrnin pjesë, në shumicë dërrmuese, 4446 prej tyre siç u bë e ditur në përfundim të votimit, ishin shprehur në favor të largimit të kryetarit aktual i cili vetëm pak muaj më parë ishte zgjedhur sipas parimit një anëtar një votë.

Vendimi u mor pasi më herët u votua një statut i ri i PD-së, në bazë të të cilit u shpallën të pavlefshme dhe të gjitha strukturat drejtuese aktuale si dhe vendimet e marra prej tyre së fundmi, përfshirë thirrjen e një Kuvendi më 18 Dhjetor. Pikërisht në këtë datë sipas vendimit të sotëm, anëtarët e partisë do të duhet të shprehen me referendum për rezultatin e votimit për shkarkimin e zotit Basha.

Një Komision për Rithemelimin e PD-së i përbërë nga 29 anëtarë, përfshirë zotin Berisha, do të jetë institucioni Kolegjial që do të drejtojë partinë deri në Kuvendin e ardhshëm më 22 Mars 2022, ku do të zgjidhen strukturat e reja drejtuese.

Statuti i ri, u miratua pa ju nënshtruar asnjë lloj debati. Në të parashikohen ndërhyrje të thella që nga parimi 1 anëtar 1 votë edhe për zgjedhjen e organeve në qendër dhe ato lokale, te organizimi i primareve për përzgjedhjen e kandidatëve si për deputetë ashtu dhe për nivelet lokale, te referendumet, lejimi i fraksioneve, riformatimi i strukturave drejtuese e sansksionimi i largimit të kryetarit të partisë nga posti në rast të humbjes së zgjedhjeve.

Kuvendi i Sali Berishës shkarkon Lulzim Bashën

 U vendos të votohet me votim të fshehtë për shkarkimin e Lulzim Bashës për thyerje të rëndë të statutit dhe dëmtim të interesave elektorale. Pas janë mbledhur të gjitha procesverbalet. Rezultati si mëposhtë:

-Delegatë prezentë në momentin e çeljes së votimit – 4934.

-Kanë votuar 4491 delegatë.

-Nga këta, pro shkarkimit kanë votuar 4446 delegatë, kundër kanë votuar 36 delegatë dhe 9 delegatë e kanë nxjerrë fletën të pavlefshme.

Ky është rezultati përfundimtar. Nga sot nis një rrugë e re. Shihemi në kuvendin dhe referendumin e javës së ardhshme.

Përfundon numërimi i votave për shkarkimin e Lulzim Bashës

Delegatët e Partisë Demokratike hodhën e votën e tyre në Kuvendin Kombëtar të të thirrur nga Sali Berisha.

Ndërkohë, aktualisht Kuvendi ka shkuar në pauzë. Dersia kryedemokrati Lulzim Basha ka thirrur Kryesinë e PD në orën 18:00.

Kuvendi i Berishës ndërron vulën e PD-së

​Gjatë Kuvendit të mbledhur nga ish-kryeministri Sali Berisha, në stadiumin “Air Albania”, u tha se logot dhe simbolet e Partisë Demokratike do të ndryshojnë.

Me propozimin e një grupi anëtarësh dhe me mbështetjen e të paktën 15% të delegatëve, Kuvendi vendosi ndër të tjera që vula e PD dhe simboli i saj të kthehet tek forma origjinale që ka pasur kur u themelua partia.

Krahasuar me vulën e përdorur deri më tani në PD, ajo e zgjedhur nga Berisha ka një ngjyrë blu më të errët e më të theksuar.

“Logot dhe simbole janë shumë të rëndësishme. Me këtë statut ndryshon log, vula e kryetarit të PD, vula që ka kryetari deri sot nuk do të ketë vlerë nesër”-tha deputeti Bylykbashi.

Image
Vula e re

Nis numërimi i votave për shkarkimin e Lulzim Bashës

Demokratët në Kuvendin e Berishës në stadiumin Air Albania kanë përfunduar procesin e votimit për shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike.

Rreth orës 16:00 ka nisur procesi i numërimit të votave.

Ndërkohë Basha ka thirrur në orën 16:00 kryesinë e PD në selinë blu. Nuk dihet ende se çfarë vendimi ka marrë Basha pas zhvillimeve në Kuvend.

Berisha: Tirana është epiqendër e luftës së ftohtë kundër Prishtinës

Ish-kryeministri Sali Berisha para delegatëve në stadiumin “Air Albania”, theksoi se kuvendi i sotëm është triumfues në historinë e pluralizmit shqiptar në 30 vitet e fundit. Ai po ashtu, shtoi se sot ri-themelohet Partia Demokratike pas dështimeve të Lulzim Bashës dhe dorëzimit të tij para Edi Ramës. Ai para mijëra delegatëve dhe simpatizantëve demokratë, ka deklaruar se PD “do t’i japë fund hegjemonisë së kriminelëve të Beogradit në Shqipëri”. Ai ka paralajmëruar se sheshet do të mbushen plot kundër vizitës së presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Në stadiumin “Air Albania” ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj qeverisë. Ai tha se Tirana është kthyer në epiqendër të luftës së ftohtë kundër Prishtinës.

Berisha: Tirana nuk ka qenë asnjëherë si sot epiqendër e luftës së ftohtë kundër Prishtinës

“PD-ja ngrihet fuqishëm si parti i interesit kombëtar e cila do t'i japë fund hegjemonisë së kriminelëve të Beogradit në Shqipëri dhe Ballkan. Ne jemi për marrëdhënie normale, por grupi minimal që udhëheq sot Beogradin është inspirator kryesor i gjenocidit serb në Bosnjë, në Kosovë, mohon gjenocidin ndaj shqiptarëve dhe duke përdorur veglat e tij në Tiranë dhe Shkup, ka rrethuar Kosovën në një dardhë në të cilën kërkon t’i zërë frymën. Asnjëherë Tirana që nga koha e Enver Hoxhës nuk ka qenë si sot epiqendër e luftës së ftohtë kundër Prishtinës”, u shpreh ai.

Ai ka folur edhe për Ballkanin e hapur, ku paralajmëroi se në rast të vizitës së presidentit Aleksandër Vuçiq në Tiranë do të mbushen rrugët dhe sheshet kundër tij.

Berisha: Mos mendo të vish ndonjëherë në Tiranë, sheshet dhe rrugët do t’i kesh plot kundër teje

“Ballkani i hapur i konkretizuar me aleancën trilaterale Beograd-Shkup-Tiranë, është ballkani i hegjemonisë serbe, i influencës direkte ruse, është ballkan i interesave anti-kombëtare, anti-evropiane. Është projekti që kërkon të zëvendësojë për shqiptarët, kombet tjera procesin e Berlinit në procesin e Putinit. Ndaj edhe ne zotohemi t’i japim fund këtij procesi. Paralajmërojmë Gëlbesin e Millosheviçit apo Sllobodanin e ri për Ballkanin e hapur mos mendo të vish ndonjëherë në Tiranë, sheshet dhe rrugët do t’i kesh plot kundër teje”, u shpreh ai.

Lideri historik i PD-së tha se synim kanë shtetin ligjor dhe barazinë para ligjit.

Berisha: Ky kuvend sjell PD-në në themelet e saj si forcë politike

“Ky kuvend sjell PD-në në themelet e saj si forcë politike evokacionit perëndimor kombëtar shqiptar, si forcë politike të kombit shqiptar që sot vuan më shumë se kurdo herë tjetër që nga diktatura komuniste”, tha ai.

Ai tha se kryetari i deritanishëm, Lulzim Basha për tetë vjet sa udhëhoqi këtë parti, iu dorëzua regjimit të Edi Ramës, duke bërë prita politike kundër bashkëpunëtorëve të tij. Lideri historik theksoi se forca e tyre politike nuk po korrte për një kohë të gjatë asnjë fitore.

Berisha: Basha në vend se të fuqizonte PD-në, iu dorëzua regjimit të Edi Ramës

“Në krye të Partisë Demokratike erdhi përfaqësuesi i gjeneratës së re, i cili në vend që të fuqizonte PD-në, bëri të kundërtën e saj. Lulzim Basha në tetë vite de facto u faktua vet si një kamp opozitar. Ai nisi drejtimin e partisë duke u përkulur në kundërshtim me ligjet, kushtetutën, fuqinë e pakufishme të forcës që drejtonte, duke u përkulur para regjimit të Edi Ramës. Dy vjet pasi dorëzuam pushtetin, Edi Rama i bllokoi çdo projekt të madh të Bashkisë së Tiranës”, ka deklaruar ai.

Ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje Departamentit Amerikan të Shtetit që të dorëzojë në gjykatën e Parisit provat kundër tij për të legjitimuar shpalljen "non grata".

Berisha: Pres me muaj një fakt, por nuk ekzistojnë

“Në maj të këtij viti DASH shpall ‘non grata’ Sali Berishën, tetë vite pasi kishte dhënë dorëheqjen nga çdo rol, njeriun që ishte lavdëruar më shumë se nga kushdo tjetër nga administrata e ShBA-së për luftën me sukses kundër korrupsionit. Shpall ‘non-grata” njeriun që gjatë gjithë jetës së tij nuk kishte patur kurrë asnjë akuzë të ngritur, ndaj tij apo familjarëve të tij për korrupsion. Një njeri i cili kishte bërë gjithçka në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në opozitë. I cili 31 vjet më parë në drejtim të kësaj partie kishte përmbysur në Shqipëri diktaturën më staliniste të Evropës[...]Nisa betejën time po aq i vendosur si 32 vjet më parë të bëj gjithçka për dinjitetin tim në sallën e gjyqit, në transparencë. Kam muaj dhe muaj që pres, asnjë fakt, asnjë dokument, asnjë provë për faktin e vetëm se nuk ekzistojnë”, deklaroi ai po ashtu në Kuvendin Kombëtar që u mbajt në stadiumin “Air Albania”.

Ish-kryeministri Sali Berisha sulmoi nga Kuvendi Kombëtar i PD-së, multimiliarderin George Soros.

Berisha: Kuvendi ynë sot është ngjarje historike për ata dhe konservatorët kudo që ndodhën në botë

“Kuvendi ynë sot është ngjarje historike për ata dhe konservatorët kudo që ndodhën në botë. Sepse ai mblidhet si kuvend shpëtimtar i vlerave të mëdha që ndajmë me ata kudo që janë. Sepse ai mblidhet si kuvend i cili përballet me sukses i vendosur të rrëzojë nga pushteti në Shqipëri, por i vendosur gjithashtu të ngrit PD-në si parti konservatore në piedestalin që meriton, duke u përballur me mafien më të rrezikshme të planetit, mafien e armikut të egër të interesave kombëtare shqiptare, të demokracisë shqiptare, multi-miliarderit George Soros”, ka deklaruar ai para delegatëve.

Delegatët e Kuvendit Kombëtar të PD-së gjatë ditës së sotme kanë vendosur për hedhjen në votim të fshehtë për shkarkimin e kryetarit, Lulzim Basha. Në stadiumin “Air Albania” po organizohet ky votim, ndërsa më 18 dhjetor pritet të ratifikohet me referendum kjo vendimmarrje.

Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha kishte propozuar mbajtjen e Kuvendit Kombëtar pasi Lulzim Basha e pezulloi përkohësisht nga grupi parlamentar i PD-së për shkak se ishte shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kokalari paralajmëron ndryshimin e madh në PD, tregon se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë

Evi Kokalari ishte e pranishme në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha.

Gjatë fjalës së mbajtur nga Kuvendi i PD-së që po zhvillohet në “Air Albania”, ajo tha se sot është fillimi i PD-së konservatore.

Kokalari shprehu besimin se Sali Berisha do të jetë kryeministri i ardhshëm i shqiptarëve që do të integrojë vendin në Bashkimin Europian.

“Falenderoj të gjithë demokratët që firmosën dhe erdhën këtu për të shkarkuar Lulzim Bashën. Basha e pati vetëvrasjen politike më 9 shtator kur vendosi të nxjerrë zotin Berisha nga grupi parlamentar. Unë ju garantoj që zoti Berisha i cili do jetë kryeministri i ardhshëm që do ta fusë Shqipërinë në komunitetin evropian. Dua t’ju them që unë nuk e dua Shqipërinë si Evropa, por e dua si Amerika. SHBA është aleatja jonë më e mirë dhe nuk flas për aleatët që i kanë dalë në krah Bashës dhe elementëve të George Soros”, u shpreh.

Kokalari tha se sot është ndryshuar metoda se si PD do votojë me të drejtën e votës dhe të zgjedhjes së kryetarit. “Që këtej e tutje do kemi meritokraci në PD”, u shpreh Kokalari.

Dy gishtat lart/ Berisha hedh votën për shkarkimin e Bashës

Sali Berisha ka votuar sot për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar i PD-së.

Ai i është drejtuar vendit të votimit, ku ka hedhur votën e tij të fshehtë në një prej kutive, ndërsa ka përshëndetur edhe me dy gishta.

Kujtojmë se Berisha thirri Kuvendin e PD-së, për të shkarkuar Lulzim Bashën nga detyra e kryetarit.

Ndërsa ka deklaruar se do të kandidojë për drejtues të kësaj partie.

Berisha “u lutet” amerikanëve: Mendojeni edhe një herë vendimin për mua, arroganca s’është virtyt

Ish-kryeministri Sali Berisha, nga stadiumi ‘Air Albania’ ku po zhvillohet Kuvendi i PD-së i thirrur prej tij ka pasur një mesazh edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“SHBA të rishqyrtojë vendimin e tyre. Arroganca nuk është virtyt i njerëzve të lirë. 

Unë do të vazhdoj i palëkundur së bashku me ju, për të përmbysur narkoshtetin, për të kthyer në pushtet Partinë Demokratike. 

Si parti e vlerave të lirisë, që në qendër ka qytetarin dhe interesat e tij”, tha Berisha.

Berisha “nuk voton shkarkimin” e Bashës

Një moment shumë interesant në Kuvendin e Berishës.

Ish-Kryeministri Sali Berisha, në momentin që në Kuvendin Kombëtar të PD-së u propozua që Lulzim Basha të shkarkohet me votim të fshehtë si kryetar, Sali Berisha nuk e ngriti dorën.

Ish-kryeministri nuk ngriti dorën kur u shtrua pyetja nëse ishte dakord apo jo për të nisur procesin për shkarkim të kryetarit, propozim që kalonte me 15% të anëtarëve.

Nuk kuptohet nëse Berisha ishte i ndërgjegjshëm për këtë pozicionim në votim, ndërkohë që gjithkush që ishte pranë tij ngritën duart lart.

Image
Kuvendi

Sali Berisha sulmon Xhorxh Sorosin: Triumfojmë ndaj mafias ndërkombëtare

Ish-kryeministri Sali Berisha ka filluar fjalën e tij mes brohoritjeve etë delagëteve dhe mbështetësve të PD-së në stadiumin “Air Albania”. Ndërkohë që Berisha fliste, mbështetësit i kanë ndërprerë fjalën nëpërmjet thirrjeve. Berisha e cilësoi Kuvendin si monument të lirisë dhe të rithemelimit të Partisë Demokratike.

Ish-lideri i PD-së bëri një përshkrim të rrugëtimit të PD-së duke filluar nga fillimi i viteve ’90, gjatë ngjarjeve të 1997, për të ardhur edhe në vitin 2005 kur demokratët u rikthyen në pushtet me atë kryemistër.

“Është Kuvendi që mbloidhet si monument i lirisë. Është monument i rithemelimit të PD-së. Ky është Kuvendi i parë në histori që në thelb është kulti i anëtarit të PD-së. Më lejoni sot në emrin tuaj të përulem me mirënjiohje të palkufishme ndaj studentëve dhe studenteve liberatorë të dhjetorit 1990 që u ngrihën si luanë të vërtetë me në krye prijesin e tyre legjendar Azem Hajdarin dhe zhvilluan në rrugët e Tiranës një betejë që ngjasonte me atë të Davidit kundër Goliathit. 

Nga njëra anë ishin studentët me vullnetin e hekurt dhe nga ana tjetër diktatura me tanke, blinda dhe mitroloza. Studentët themeluan PD të atyre bvlerave që ne sot rivendosim në themelet e saj“, tha ai.

 

Berisha sulmon Bashën: Kryetari ynë s’lëvizi një gjethe në protestat e fuqishme të Tiranës

Ish-kryeministri Sali Berisha nga Kuvendi që ai thirri akuzoi liderin e Partisë Demokratike Lulzim Bashën se në këto 8 vite nuk ka bërë asnjë kundër regjimit të Ramës. 

Teksa kujtoi kohën kur Basha drejtonte bashkinë e Tiranës, Berisha tha se ai nuk lëvizi as një gjethe në protestën e fuqishme të Tiranës dhe nuk i vuri kufirin te thana Ramës. 

“Të dashur delegatë dhe delegatë, ne mblidhemi sot për të rithemeluar PD në një kohë kur me gjithë trashëgiminë tonë të shkëlqyer në historinë e shkuar pa mohuar gabimet dhe defektet ne erdhëm në vitin 21 të këtij shekulli para një alternative shumë të rëndë. partia që anëtarësoi Shqipërinë në NATO që u faktua lokomotivë e integrimit, që dha kontribute historike, në pavarësinë e Kosovës dhe lirinë e shqiptarëve, partia që hodhi bazat e ekonomisë së tregut dhe e projekteve të mëdha. Kjo pari arriti në vitin 2021 si një forcë politike e cila krijonte përshtypjen se ndodhej para alternativës ‘too be or not too be’, ‘të jesh apo mos të jesh’. Po pse ndodhi kjo? Në 2013-ën PD pas 8 vitesh në qeveri humbi zgjedhjet, njohu dhe realizoi rrotacionin e pushtetit. 

Kryetari i saj dha dorëheqje, ashtu siç i takon çdo kryetari partie kur humbjet zgjedhjet. Në krye të PD erdhi përfaqësuesi i një gjenerate të re, i cili në vend që të fuqizonte PD, bëri të kundërtën e saj. Lulzim Basha në 8 vite ;de facto u faktua vetë si një kallp opozitar. Ai nisi drejtimin e forcës, duke u përkulur para regjimit të Ramës. Dy vite pasi dorëzuam pushtetin, Edi Rama i bllokoi çdo projekt të madh të Bashkisë së Tiranës. I bllokoi Bulevardin, sistemin e lumit, vendosjen e tramvajit, sistemin multimodal. Të gjitha këto projekte të mbështetura fuqishmit nga qeveria e PD. Duke pasur një armatë demokratësh, duke disponuar bashkinë më të madhe të vendit, kryetari ynë nuk lëvizi një gjethe në protestat e fuqishme të Tiranës, dhe t’i vinte Ramës kufirin te thana dhe të qëndronte i pamposhtur ndaj regjimit të tij.”, tha Berisha.

***

Ish-kryeministri Sali Berisha ka filluar fjalën e tij mes brohoritjeve etë delagëteve dhe mbështetësve të PD-së në stadiumin “Air Albania”.

Ndërkohë që Berisha fliste, mbështetësit i kanë ndërprerë fjalën nëpërmjet thirrjeve.

Berisha e cilësoi Kuvendin si monument të lirisë dhe të rithemelimiut të Partisë Demokratike.

“Të dashur delegatë dhe delegate të Kuvendit më madhështor, më të bukur, më triumfues, më mahnitës, në historinë e pluralizmit shqiptar në këto 30 vite. Kuvendi që mblidhet si monument i lirisë shqiptare, Kuvendit që mblidhet si monument i rithemelim të PD. Kuvendit që mblidhet si monument madhështor i rithemelimit të PD-së. Kuvendit të parë në histori të kultit të anëtarit të PD, të kultit të lirisë, të anëtarit të lirë. Qytetarë shqiptarë ju përshëndet sot nga kjo platformë me të cilën ne vendosim që të rithemelojmë forcën e madhe politike të PD.”, tha Berisha.

Më 18 Dhjetor referendum në çdo degë të PD

Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Sali Berisha ka vendosur të hedhë në votë të fshehtë shkarkimin e kryedemokratit Lulzim Basha nga posti i kryetarit. Votimi do të kryhet gjatë punimeve të Kuvendit të sotëm. Ndërkohë që më 18 Dhjetor ky vendim i dalë nga Kuvendi i sotëm do të hidhet në referendum në çdo degë të Partisë Demokratike.

“Në mbështetje të nenit 43, të statutit të Partisë Demokratike me propozimin e një grupi të delegatëve Kuvendi Kombëtar vendosi të votojë me votim të fshehtë të delegatëve për shkarkim të kryedemokratit Lulzim Basha për dëmtim të rëndë të interesave politike. Votimi do kryhet gjatë zhvillimit të Kuvendit.Fleta të përmbajë pyetjen. A jeni dakord me shkarkimin e Lulzim Bashës?

Vendimmarrja e dalë nga Kuvendi do të hidhet në votim edhe në çdo degë të PD në 18 Dhjetor 2021. Fleta e votimit në referendum të përmbajë pyetjen. A jeni dakord me vendimin e Kuvendit Kombëtar për shkarkimin e Lulzim Basha? Ky vendim miratohet me votim të hapur dhe hyn në fuqi menjëherë”, tha Këlliçi. 

Miratohet propozimi në Kuvend: Votim i fshehtë për shkarkimin e Bashës

Rreth 15 për qind të delegatëve të pranishëm në Kuvendin e Rithemelimit kanë propozuar që të votohet për shkakrkimin e Lulzim Bashës nga kreu i PD-së.

PD-në e merr tani në dorë Komisioni i Rithemelimit, ja emrat përbërës​​​​​​​

Partinë Demokratike tani do e marrë në dorë Komisioni i Rithemelimit. Kështu u vendos në Kuvendin e sotëm të Partisë Demokratike. Kryetari i Komisionit Drejtues të Kuvendit, Belind Këlliçi lexoi emrat e këtij komisioni.

Partia do drejtohet në këtë mënyrë deri në zgjedhjet e reja të organeve drejtuese. Ndërkohë do jetë Kuvendi i 22 marsit të vitit të ardhshëm që do konfirmojë këto organe drejtuese.

 

Lista

Agron Shehaj

Albana Vokshi

Aldo Bumçi

Arben Ristani

Belind Këllici

Blendi Himçi

Bujar Nishani

Çlirim Gjata

Edith Harxhi

Edi Paloka

Edmond Spaho

Eno Bozdo

Ervin Minarolli

Flamur Noka

Genc Deromemaj

Genc Pollo

Gent Strazimiri

Rigels Muçollari

Ivi Kaso

Keltis Kruja

Klevis Balliu

Ledina Mandija

Luan Baçi

Lorenc Luka

Mimoza Hajdarmataj

Oerd Bylykbashi

Sali Berisha

 

Delegatët e Kuvendit të thirrur nga Berisha në “Air Albania” kanë vendosur shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi si edhe të tre nënkryetarëve,  Grida Duma; Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj.

Shkarkimi i tyre u bë me argumentin se nuk ishin zgjedhur sipas statutit të partisës.

 

Bylykbashi zbulon ndryshimet në statut që “i presin biletën” Bashës: Nëse humb zgjedhjet, shkarkohet!

Fjalën hyrëse  sot në stadiumin “Air Albania” ku po zhvillohen punimet e Kuvendit të thirrur nga ish-kryeministri, Sali Berisha e mbajti, deputeti i PD, Edi Paloka.

Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi ka mbajtur fjalën e tij në Kuvendin e Partisë Demokratike.

Bykykbashi lexoi para 4934 delegatëve ndryshimet që pritet të miratohen në statusin e kësaj force politike.

“Kryetarit që humb zgjedhjet u përfundon mandati, pa të drejtë rikandidimi, duke zhbërë në këtë mënyrë kultin e individit…”- tha ndër të tjera Bylykbashi.

Pjesë nga fjalët e Bylykbashit:

Organet u kthyen si shtabe ushtarake, demokracia nuk vjen te përqëndrimi i pushtetit te kryetari.

Do pastrojmë partinë nga kaosi organizativ ku e ka futur Lulzim Basha, ku anëtarët rriten nga gara, dhe nuk shtypen nga urdhërat eprorë.

PD është parti që mbron vlerat, ne kemi zgjedhur si shtrat për këto ndryshime statutin e vitit 2015, i propozuar nga vetë ai.

Do tiu paraqes shkurtimisht këto ndryshime:

Shtrirja e mekanizmit një anëtar një votë, përfshirë dhe kryetarët e degëve

Votimet primare, ku kandidatët për organet e zgjedhura do të zgjidhen nga delegatët, dhe jo nga kryetari.

Garantojmë futjen e fraksioneve në parti, mendimi ndryshe nuk mund të përjashtohet, pasi rrezikon pushtetin e kryetarit.

I kemi dhënë rol përcaktues këshillit kombëtar dhe vendit kombëtar, janë forcuar dhe të zgjedhurit në bazë, të zgjedhurit duhet të jenë vullnet i shumicës.

Kryetarit që humb zgjedhjet u përfundon mandati, pa të drejtë rikandidimi, duke zhbërë në këtë mënyrë kultin e individit.

Organizatat partnere, janë rritur kuotat për të rinjtë dhe për Lëvizjen e Gruas, është shtuar dhe grupimi i dhjetorit.

Simbolet e PD janë shumë të rëndësishme, Lulzim Basha zhduku simbolet e PD-së në 2017-tën me Republikën e re, duke kërkuar ndryshimin e ADN-së sonë

***

 Në statutin e ri të Partisë Demokratike, i cili pritet të votohet sot në kuvendin kombëtar të kësaj force politike, është parashikuar që kryetarit të saj t’i mbarojë mandati pa të drejtë rikandidimi, në rast se partia humbet zgjedhjet e përgjithshme dhe nuk rezulton forcë fituese qeverisëse.

Në statutin e ri gjithashtu është parashikuar që nëse partia humbet zgjedhjet lokale, atëherë kryetari votëbesohet me votë të fshehtë në kuvendin kombëtar dhe quhet i votëbesuar nëse ka marrë jo më pak se 70% të votave të anëtarëve që kanë marrë pjesë në votim.

Sali Berisha, i cili propozoi mbajtjen e kuvendit kombëtar pasi Lulzim Basha e pezulloi përkohësisht nga grupi parlamentar i PD për shkak se ishte shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar se gjatë punimeve të kuvendit kombëtar të sotëm, Basha do të shkarkohet nga detyra e kryetarit. Ai vetë ka shpallur kandidaturën për t’u bërë kryetar partie, e nëse votohet do të rikthehet në këtë post pas 8 vitesh, shkruan A2.

 

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se do të shkëpusin marrëdhëniet me PD nëse zgjidhet kryetar një person i shpallur “non grata”. Ndryshe është shprehur ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca.

***

Kryetari i forumit rinor të FRPD-së, Belind Këllici, u shpreh se “transparenca” është thelbi kryesori këtij Kuvendi ndërsa ka nisur puna e komisionit për verifikimin e mandateve.

Këlliçi u shpreh se 7646 delegatë firmosën thirrjen e Kuvendit, ku prezentë ishin 4934, gati për vendimmarrje.

“Në lidhje me numrin e thirrjeve që kanë kërkuar mbajtjen e Kuvendit Kombëtar nevojitet ¼ për të thirrur Kuvendin. Numri total është 7646. ¼ është 1913 firma delegatësh. Sekretariati teknik më njofton se 4200 formularët e dorëzuar me firma janë të pranishëm në kuvend. Numri i delegatëve që kanë thirrur Kuvendin, në zbatim të statutit deklaroj se ky kuvend është i thirrur ligjërisht sipas statutit të Kuvendit të Partisë Demokratike. Numri i delegatëve që janë paraqitur sot 4934 delegatë. Duke qenë se numri është më i madh, deklaroj se Kuvendi ka kuorumin e ligjshëm sipas statutit të PD dhe ka aftësi të plotë vendimmarrje nga ky çast. Pranë sekretariatit teknik janë paraqitur dy kërkesa që kërkojnë vendimmarrje nga kuvendi”, tha ai.

 Nis verifikimi i delegatëve/ Këlliçi: Transparenca, kryefjala e Kuvendit

Belind Këlliçi, kryetari i komisionit që do të drejtojë punimet e Kuvendit të Rithemelimit ka bërë me dije se ka nisur procedura për punimet dhe verifikimin e kërkesave nga delegatët, për mbledhjen e Kuvendit.

Në fjalimin e tij Këlliçi u shpreh se ky komision do të ngarkojë 72 përfaqësues të të gjitha degëve të PD në Shqipëri. Ky grup prej 72 emrash, do të bëjë verifikimin e delegatëve në Kuvend.

Gjatë fjalës së tij Belind Këlliçi u shpreh se  ky Kuvend është Kuvendi i demokracisë dhe se nga dita e sotme do të hapen të gjitha dyert për të rinjtë.

“E keni bërë këtë Kuvend më të jashtëzakonshëm. Para se të nisim punimet dua t’ju falënderoj përzemërsisht për këtë pjesëmarrje që mishëron më së miri demokracinë. Jam i bindur që nga dita e sotme do të forcojmë institucionet. PD nga sot e tutje do t’i hapë të katra dyert për të rinjtë për t’i dhënë mundësi për të bërë karrierë.

Image
Sali Berisha

Do të verifikojmë numrin e kërkesave që janë drejtuar për të thirru Kuvendin Kombëtar. Ky Komision do të ngarkojë 72 përfaqësues për të gjitha degët e PD për të verifikuar secilat firma. Kjo trupë në këtë moment në zbatim të statutit do të bëjë verifikimin e prezencës së delegatëve. Sekretariati teknik ngarkohet të kryejë të gjitha verifikimet përkatëse. Verifikimi do të bëhet nëpërmjet teknologjisë që mundëson në kohë reale pjesëmarrjen. Kryefjala e këtij Kuvendi do të jetë transparenca. Askush nuk i trembet të vërtetës. Në këtë Kuvend prevalon vetëm e vërteta”, tha Këlliçi.

Miratohet komisioni drejtues/ E drejton Belind Këllici, ja anëtarët

Në fund të fjalës së tij, kreu i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka, propozoi emrat për komisionin që do drejtojë Kuvendin Kombëtar.

Në krye të komisionit do jetë Belind Këlliçi. Emrat e tyre u miratuan me brohoritje në stadium.

EMRAT

Albana Vokshi, kryetare e LDG

Ervin Minarolli, sekretar organizativ i PD

Ivi Kaso, sekretar zgjedhor i PD

Edmond Spaho, ish-nënkryetar i PD

Belind Këlliçi, kryetar i FRPD- drejtues i komisionit.

***

Edi Paloka ka humbur Kuvendin e thirrur nga ish-kreu i PD Sali Berisha, ditën e sotme në stadiumin Air Albania. Paloka deklaroi se kjo ditë do të hyjë në historinë e Partisë Demokratike si dita e rithemelimit të saj. Ai u shpreh se opozita e vërtetë nuk hyn në pazare me Edi Ramën.

“Mirë se keni ardhur në Kuvendin e demokratëve të lirë. Prania juaj sot këtu në një ditë si kjo ku mesa duket edhe Zoti ka dashur të shtojë simbolikën e tij. Ne jemi demokratët e rrebeshit. Të tjerët le të shkojnë te shampanja. Kjo ditë do të hyjë në historinë e PD. Për herë të parë mblidhet një kuvend me kërkesën e delegatëve. As thjesht për numrin e pazakonshëm të pjesëmarrësve.

Pas 31 vitesh ne mblidhemi edhe njëherë për ta rithemeluar Partinë Demokratike mbi idealet dhe parimet mbi të cilat e ngritën dhe për ta vendosur përfundimisht në shinat e konservatorizmit. E kam konsideruar veten me fat që në dhjetor të vitit 1990, u bëra pjesë e lëvizjes studentore dhe njëri prej atyre që themeluan PD. Sot do themi me krenari.

Unë isha aty ditën kur u rithemelua PD. Ky Kuvend për herë të parë mblidhet me kërkesën e delegatëve. Sot numri i firmëtarëve është shumë më i lartë se ai i ditëve të para. Kriza ku gjendemi sot si pasojë(…. ovacione “O Sali o hero, Shqipëria ty të do”….) ku gjendemi sot si pasojë e dështimeve për të mposhtur regjimin dhe pozicionimi që kryetari aktual i bërë Partisë Demokratike pas 25 prillit, jo përballë regjimit, por çdo ditë e më shumë në krah të tij. Kjo është arsyeja pse jemi mbledhur sot këtu për të kuvenduar. Për të kthyer shpresën dhe besimin te shqiptarët që kërkojnë ndryshim".

"Opozita e vërtetë nuk e ka ulur kokën. Nuk hyn në pazare me Ramën por është më e gatshme për t’u përballur me Ramën. Ka nga ata që na pyesin dhe na kanë pyetur dhe thonë pse tani dhe jo më parë. Përgjigja është e thjeshtë. 25 prillin e konsideruam masakër zgjedhore. Me Ramën nuk mund të prisnin asgjë tjetër. Të gjithë ne mbajmë përgjegjësi që nuk arritën të përkthejmë në fitore sakrificat e demokratëve. Duke pranuar këto përgjegjësi, ne ju premtuam demokratëve dhe votuesve që do të vazhdonim betejën”, tha Paloka.

***

Ish- kryeministri Berisha është ndaluar në një komunikim për mediat, para se t’i drejtohet stadiumit ‘Air Albania’, ku pritet të mbahet Kuvendi i demokratëve i thirrur prej tij.

Ndërsa doli nga banesa e tij, Berisha e konsideroi ditën e sotme një ditë të jashtëzakonshme.

“E jashtëzakonshme dita, në historinë e demokracisë shqiptare kjo shënon një nga ngjarjet më të mëdha. Kjo shënon mrekullinë e dytë më të madhe në historinë e lirisë së këtij kombi, triumfi i revolucionit paqësor në momentet më dramatike të vendit. Asgjë, siç e shihni nuk pengoi dhe nuk pengon djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e lirisë për t’u bashkuar sot në rithemelimin e PD dhe të pluralizmit shqiptar. Mesazh më i bukur, më i madh, më i fuqishëm që i dërgojnë sot shqiptarëve në mbarë vendin, jashtë dhe në diasporë. Iu dërgojnë mesazh miqve tanë. Besoj se ai është prej kohësh (Basha) një i pakallur, por Kuvendi merr vendimet e veta. Mesazhet janë histori turpi dhe morën përgjigjen më të shkëlqyer nga demokratët dhe nga më të mirët e shqiptarëve. Mirupafshim! Ata që s’kanë mend nuk i bind dot. Është i ftuar në Kuvend. Selia është e PD-së.”, tha Berisha.

Berisha pritet me ovacione në stadium/ Mbi 4900 delegatë të pranishëm

Lideri historik demokrat, Sali Berisha, u prit me ovacione në stadiumin AirAlbania.

Më shumë se 4900 delegatë janë të pranishëm në Kuvendin e Rithemelimit të Partisë Demokratike.

Nën tingujt e Europë, Berisha u ul pranë Belind Këllicit dhe Albana Vokshit.

Ndërkohë numri i delegatëve vetëm rritej.

Berisha niset drejt Kuvendit: Sot, dita e triumfit të revolucionit paqësor

Lideri historik demokrat, Sali Berisha është ndaluar në një komunikim për mediat, para se t’i drejtohet stadiumit ‘Air Albania’, ku pritet të mbahet Kuvendi i demokratëve.

Image
Sali Berisha

"Sot do të jetë një ditë triumfi e revolucionit paqësor, asgjë nuk pengoi dhe nuk pengon djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e lirisë për tu bashkuar sot në rithemelimin e PD-së dhe në rikthimin e pluralizmit politik. Ky është mesazhi më i bukur që ata u dërgojnë miqve konservatorë në Europë dhe në votë, Kuvendi merr vendimet e veta.

Mesazhet janë histori turpi, morën përgjigjen më të shkëqyer nga demokratët.

Mirupafshim, mirupafshim! Jo nuk kam komunikuar me zotin Basha, është i ftuar në Kuvend, selia është e Partisë Demokratike," tha Berisha.

Image
Kuvendi i PD-së

Vishuni trashë, Berisha u jep mëngjes delegatëve

Sali Berisha mbrëmjen e djeshme u bëri thirrje delegatëve dhe simpatizantëve të tij që vishen trashë në momentin që të nisen për në Kuvendin që do të mbahet në “Air Albania”.

Por ish-kryeministri përpos kësaj është kujdesur edhe për ushqimin.

Në hyrje të stadiumit ku mbahet Kuvendi, ndjekësve të Berishës iu ofrohej për të ngrënë.

Pamjet brenda stadiumit, Strazimiri dhe Balliu drejtojnë delegatët e Kuvendit të Berishës

Prej orës 09:00 të mëngjesit të sotëm vijon futja e delegatëve dhe militantëve, mbështetës të Sali Berishës në stadiumin “Air Albania”.

Gazetari i ABC, Juxhin Mustafaraj raporton se në pikat e hyrjes së stadiumit ndodhen dy ish-deputetët Klevis Balliu dhe Gent Strazimiri.

Check-ini për delegatët nuk po bëhen në hyrje, por do të realizohet sipas organizatorëve në momentin që do të ulen në stadium në vendin e caktuar.

Për Mentor Nazarkon “Berisha po e kthen Kuvendin në miting”. Lorenc Vangjeli e cilëson “shfaqje populiste”

***

Delegatë të Partisë Demokratike, që do të marrin pjesë në Kuvendin e thirrur sot nga ish-kryeministri Sali Berisha janë shprehur pro shkarkimit nga detyra e kryetarit të Lulzim Bashës.

Për mikrofonin e ‘News24’ disa prej këtyre delegatëve thanë se Berisha do të sjellë në pushtet PD-në. 

“Do votojmë shkarkimin e Bashës. duhet me ik Basha në shtëpi, na e ka prurë në majë të hundës. U bë bashkë me atë palaçon.”, -tha një prej delegatëve për gazetarin Osman Stafa.

Ndërkohë një tjetër tha se ka firmosur për këtë Kuvend sot dhe jo për atë të thirrur nga Basha më 18 dhjetor. “Kryesorja është që të fitojë Berisha. Është burrë legjendar. Do kthejë në pushtet PD-në. Jam delegat dega një në Tiranë. Kam firmosur për 11 dhjetorin.”, pohoi ai, ndërsa pret në radhë për të hyrë në stadiumin ‘Air Albania’.

Eskorta te “Rruga e Salës”! Ja kush ka mbërritur përpara derës së banesës së Sali Berishës

Ish kryeministri nuk ka dalë akoma nga banesa e tij.

Por nga pamjet shikohet eskorda që do të dërgojë Sali Berishën drejt stadiumit “Air Albania, ndodhet përballë banesës së Berishës në rrugën e njohur si rruga e ‘Salës’.

Mjeti tip Mercedes Benz S Class me të cilin lëviz Berisha, ka mbërritur në shtëpinë e tij, në zonën e quajtur si “Rruga e Salës”, për shkak se aty jeton ish-kryeministri.

Kuvendi i thirrur prej tij këtë 11 dhjetor, do të fillojë pas afro 40 minutash, në orën 10.00 siç është njoftuar nga Berisha vet dhe nga organizatorët.

Image
Eskorta te “Rruga e Salës”!

Vijon hyrja e delegatëve të PD në 'Air Albania', identifikohen njeri pas tjetrit

Po vazhdon hyrja e delegatëve të PD në stadiumin “Air Albania” për Kuvendin Kombëtar të partisë. Mësohet se punimet e Kuvendit do të drejtohen nga Belind Këlliçi, kreu i FRPD-së. Takimi nis në orën 10:00.

Delegatët demokratë kanë mbërritur në Tiranë, një pjesë që nga dita e djeshme dhe një pjesë mëngjesin e sotëm.

 

Sot mbahet Kuvendi i PD-së

Sot do të mbahet Kuvendi i ri-themelimit të PD-së.

Përmes një njoftimi në Facebook, Sali Berisha ka njoftuar se të gjithë anëtarët mund të vijnë, duke shtuar se delegatët do të kenë hyrjen e veçantë, ndërsa simpatizantët hyrjen e tyre, përcjell Bota sot.

Postimi i plotë në Facebook:

Sot në ora 10:00 në Arena Air Albania mbahet Kuvendi i ri-themelimit të PD-së. Rikujtim: TË GJITHË anëtarët mund të vijnë, delegatët do të kenë hyrjen e veçantë dhe anëtarët e simpatizantët hyrjen e tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat