Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të Kryesisë së PD-së për të mbledhur Këshillin Kombëtar. Në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Rithemelimit, i ngritur ditën e sotme nga Kuvendi Kombëtar, Berisha thotë se i konsideron nul dhe qesharake dëshirat e atij që tashmë e konsideron deputeti Lulzim Basha.
Komisioni i bën thirrje anëtarëve të Këshillit si dhe ish-anëtarëve të Kryesisë që të respektojnë vullnetin e Kuvendit Kombëtar si organi më i lartë drejtues i PD-së.
Reagimi i plotë i Berishës:
Koha kur deputeti Basha mund të bënte pazar me fatet e Partisë Demokratike ka marrë fund. Ditët kur Partia shërbente si hipotekë për borxhet e kryetarit kanë përfunduar! Në një ditë historike, 4446 delegatë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike vendosen sot, të rimarrin në dorë fatet e Partisë Demokratike duke shkarkuar Lulzim Bashën në një spektakël të vërtetë demokracie të ngjashëm me standardet amerikane.
Kuvendi i sotshëm riafirmon vlerat euro atlantike të PD duke rikthyer në piedestal votën e lirë në të parin Kuvend në historinë e Shqipërisë të thirrur nga anëtarësia.
Komisioni i Rithemelimit i mandatuar nga Kuvendi konsideron nul dhe qesharake çdo dëshirë të deputetit Basha për të thirrur Këshillin Kombëtar, për të shkaktuar drejtuesin e këtij Këshilli apo për të marrë masa disiplinore ndaj përfaqësuesve të mijëra demokratëve që me votë të lirë dhe legjitime vendosën sot shkarkimin e tij!
Komisioni u bën thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar si dhe ish-anëtarëve të Kryesisë të respektojnë vullnetin e Kuvendit Kombëtar si organi më i lartë drejtues i Partisë Demokratike. Komisioni fton të gjithë drejtuesit e PD të lexojnë dhe respektojnë vullnetin e shumicës që shkarkoi kryetarin dhe jo të deputetit Basha që kërkon të shkarkojë shumicën!
Sot është dita për t’u bashkuar dhe jo për të përçarë e “përjashtuar” partinë për karrigen e thyer të ish-kryetarit!