Tetë shtetas që organizonin dhe ushtronin aktivitetin e lojërave të fatit janë arrestuar këtë fundjave në Shkodër.
Në operacionin e koduar “Fati i lojërave”, policia njofton se ka arrestuar 30-vjeçarin me iniciale N.U., që e përdorte ambientin në Pulaj të Velipojës si lokal, edhe pse nuk e kishte të regjistruar në organet tatimore. Bar-kafenë, ai e kishte përshtatur si vend ku luhej poker.
Ai do të hetohet nga prokuroria për “Organizim ose ushtrim të veprimtarive të lojërave të fatit”, “ Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm”.
Ndërkohë, policia ka ndaluar dhe shtatë shtetas të tjerë, që u kapën duke luajtur poker. M. R., 27 vjeç, F. G., 18 vjeç , A. S., 38 vjeç, M. B., 21 vjeç, N. A., 36 vjeç, T. B., 53 vjeç, E. L., 37 vjeç do të hetohen për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit”.
Lojërat e fatit janë të ndaluara me ligj, por kjo nuk i ka ndaluar bizneset të organizojnë aktivitete të tilla dhe as qytetarët të bëhen pjesë e tyre.