Intensiteti i shtuar i reshjeve këto ditë dhe sidomos në 24 orët e fundit, ka shkaktuar daljen nga shtrati të lumit Vjosa në urën e Mifolit. Kjo situatë ka shkaktuar përmbytje në fshatin Novoselë dhe në fshatin Ferras. Ministria e mbrojtjes ka njoftuar se prej orëve të para të ditës së sotme janë angazhuar në këtë zonë efektivë të FA dhe mjete, të cilat po u vijnë në ndihmë strukturave të emergjencave civile në Vlorë e Fier.
Situata ka qenë e vështirë edhe në bashkinë Gjirokastër, Dropull e Këlcyrë. Sipas njoftimit të ministrisë së mbrojtjes, me prioritet po ndiqet situata e krijuar si pasojë e prurjeve të lumit Shushica që nxori jashtë funksionit urën e fshatit Mesaplik në bashkinë Selenicës, por edhe në fshatin Kallarat në bashkinë Himarë.
Probleme ka sjellë edhe dalja e lumit Osum në fshatin Verrik në Berat, si pasojë në bashkinë Dimal e Kuçovë janë evakuuar disa familje.
Për shkak të reshjeve të shumta të dëborës po ndiqet nga strukturat edhe situata në rrugën Bogë QafëThorë dhe Peshkopi- Lurë.
Kryeministri Rama ka theksuar se ekipet mjekësore janë në gatishmëri, duke garantuar shërbimin mjekësor që u nevojitet banorëve të prekur nga përmbytjet. Rama u ka bërë thirrje qytetarëve të telefonojnë numrin 127 për çdo urgjencë mjekësore.