Reshjet e ditëve të fundit kanë rikthyer përmbytjet në vend. Situata paraqitet e vështirë në disa qytete si në Vlorë, Fier, Berat, Lezhë, Gjirokastër. Gjatë 24 orëve të fundit, vendi është përfshirë nga reshje të dendura shiu, duke shkaktuar përmbytje të mëdha në Fier. Shumë banorë mbetën të izoluar nga uji në shtëpitë e tyre, ndërsa qindra hektarë tokë të mbjella janë dëmtuar. Reshjet intensive të shiut kanë ndikuar edhe në rritjen e nivelit të lumit të Vjosës, ku për pasojë në Novoselë lumi ka dalë nga shtrati dhe janë përmbytur shumë banesa.
Ndërkohë, si pasojë e dëmtimit të urës së Mesaplikut, 300 banorë kanë mbetur të izoluar dhe të tjerë që nuk kanë mundur të kthehen mbrëmjen e djeshme në shtëpi e kanë kaluar natën në automjetet e tyre. Ndërkohë, problem ka pasur edhe në Vlorë, ku niveli i ujit në Vlorë dje ka arritur në 8 metra mbi nivelin e detit, nga 7.6 që ishte dy dite më parë. Në ndihmë të banorëve të përmbytur, ka ardhur grupi i shpëtimit, i cili ka shpëtuar disa familje në Vlorë të cilët kishin mbetur të izoluar në shtëpi për shkak të ujit, ndërsa edhe ushtria bëri të mundur evakuimin e tyre së bashku me bagëtitë. Situata paraqitet problematike edhe në Berat, për shkak të kushteve atmosferike. Niveli i ujit të lumit Osum është në kuotat maksimale pasi ka arritur në 4.20 metra dhe është me tendencë rritje nëse reshjet do të vazhdojnë.
Sipas Shtabit të Emergjencave në Prefekturën e Beratit, prurjet e lumit Osum në Urën e Varur në Berat dhe në Urën e Goricës e kanë kaluar pragun e ulët dhe të mesëm. Si rezultat i motit të keq dhe reshjeve, shumë zona në të gjithë qarkun janë pa energji elektrike. Nga ana tjetër, reshjet e dendura të shiut kanë bërë që situata të paraqitet problematike dhe në Gjirokastër. Kështu, përroi i Çullos ka dalë nga shtrati në Gjirokastër duke bllokuar unazën e qytetit, e cila më pas u lirua pas ndërhyrjes nga emergjencat.
Probleme në disa zona nga dëbora
Ndërkohë, edhe reshjet e dendura të dëborës kanë krijuar probleme në disa zona të vendit. Qarkullimi rrugor është bllokuar përkohësisht për shkak të reshjeve të dëborës që kanë përfshirë vendin, ndërsa është bllokuar edhe lëvizja e automjeteve në Rrugën e Arbrit. Aksi rrugor është bllokuar nga dëbora, ndërsa policia thotë se aksi po pastrohet nga borëpastrueset, ndërsa apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë aks.
Problematike paraqitet situata edhe në juglindje të vendit. Në Dardhë, trashësia e dëborës ka shkuar deri në 35 centimetër, ndërsa kalueshmëria e mjeteve mundësohet vetëm me zinxhirë, sa i përket zonave të tjera si Voskopoja apo Qafa e Qarrit kalueshmëria e mjeteve bëhet pa zinxhirë, ndërsa trashësia e dëborës ka shkuar deri në 15 centimetër. Reshje dëbore me intensitet të lartë kanë pasur edhe në zonat e larta malore të Pogradecit, trashësi e cila shkon nga 10 deri në 25 centimetër.