Në Shqipëri ish kryeministri Sali Berisha së bashku me anëtarët e tjerë të Komisionit për Rithemelimin e Partisë Demokratike, strukturë e ngritur nga Kuvendi i thirrur prej tij dy ditë më parë, hynë sot në selinë e kësaj force politike për të zhvilluar mbledhjen e tyre, ndërsa në sallën përballë, kryetari demokrat Lulzim Basha po zhvillonte një tjetër takim. Zoti Berisha njoftoi nisjen e përgatitjeve për referenduin e datës 18 dhjetor, ku kërkohet që anëtarësia e partisë të shprehet për vendimin e Kuvendit për shkakrkmin e zotit Basha
Zotit Berisha dhe mbështetësit e tij u shfaqën sot pas mesditës në selinë e Partisë Demokratike. Një akt i hapur sfide, që pritej dhe ishte paralajmëruar nga zoti Berisha, i cili kishte përsëritur disa herë se selia e partisë është e demokratëve.
Që në hyrje zoti Berisha saktësoi se ai dhe anëtarët e Komisionit për rithemelimin e partisë, strukturë e miratuar nga Kuvendi për të drejtuar partinë deri në zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese, ishin aty për të zhvilluar një takim. “Në zyrën e Bashës ne nuk kemi punë. Sot ne vijmë këtu për të bërë një mbledhje”, deklaroi ai.
Në Kuvendin e para dy ditëve delegatët votuan duke i konsideruar të pavlefshme strukturat aktuale të Partisë Demokratike. Të gjithë anëtarët e Komisionit, shoqëruar dhe nga mbështetës të tjerë, u ngjitën në katin e dytë, duke hyrë në një nga sallat e mbledhjes, ndërsa përballë tyre, në një sallë tjetër, zoti Basha po zhvillonte një tjetër takim pune me grupin për zgedhjet në Forumin rinor.
Mbledhja zotit Berisha me Komisionin e Rithemelimit nuk zgjati shumë. Pas saj, ish kryeministri shpjegoi se ishte diskutuar për përgatitjet e referendumit të thirrur prej tyre në datën 18 dhjetor, datë në të cilën zoti Basha ka thirrur Kuvendin e partisë.
Referendumi kërkon mbështetjen e anëtarësisë së partisë për vendimin e marrë nga Kuvendi i së shtunës së kaluar, për shkakrkmin e kryetarit Basha. Zoti Berisha i kërkoi kryetarëve të degëve që të vënë në dispozicion selitë e partisë për referendumin. "Kryetarët e degëve që nuk e kanë ndarë ende mendjen, selitë e tyre t’i vënë në dispozicion të anëtarësisë për referendumin. Kurrë, s’mund të mendojë kush se selitë e partisë janë shtëpitë apo apartamentet private të drejtuesve”, tha ai.
Më herët gjatë ditës, Partia De,okratike njoftoi se kishte kallzuar në Prokurorinë e posaçme SPAK, tre deputetë dhe dy sekretarë nën akuzën e "Falsifikimit të vulave, stampava dhe formularëve", duke qenë se ata ishin ndër organizatorët e Kuvendit të thirrur nga zoti Berisha, nën simbolet e PD-së.
Ish kryeministri e sulmoi ashpër për këtë akt. "Një veprim të tillë e bën një njeri që nuk ka as besë, as ligj. Një besë prerë që vërsulet ndaj kolegëve të tij, drejtuesve, në të gjitha mënyrat”, u shpreh ai.
Mbrëmë Këshilli Kombëtar i thirrur nga zoti Basha votoi për shkarkimin nga funksionet, të kryetarit të Këshillit Edi Paloka, 4 sekretarëve dhe disa anëtarëve të kryesisë, ndërsa miratoi një rezolutë e cila i konsideronte nul vendimet e Kuvendit të thirrur nga zoti Berisha./VOA