Basha dërgoi dje në gjykatë ndryshimet në statut, të miratuara më 17 korrik, Berisha pritet t’i dorëzojë sot

Shqipëria

Basha dërgoi dje në gjykatë ndryshimet në statut, të miratuara më 17 korrik, Berisha pritet t’i dorëzojë sot

Më: 14 dhjetor 2021 Në ora: 12:10
Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Partia Demokratike të hënën depozitoi në gjykatë ndryshimet në statut të miratuara në Kuvendin e 17 korrikut.

Ndryshimi i rregullave të funksionimit të Partisë Demokratike u propozuan si një zgjidhje për krizën brenda saj, pas humbjes në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe rizgjedhjes së Bashës në krye të partisë në një proces të kontestuar nga kundërshtarët e tij në parti.

Kuvendi Kombëtar i PD miratoi ndryshimet në Statutin e Partisë, që ishin propozime të kreut Lulzim Basha. Ai propozoi 11 ndryshime, duke përfshirë zgjerimin e kryesisë me të tjerë anëtarë dhe shtimin e numrit të sekretarëve.

Kryedemokrati krijoi edhe Këshillin Koordinues të Qarkut për organizimet elektorale. Basha nuk kishte asnjë propozim në lidhje me mandatin e kryetarit.

Nga ana tjetër, Komisioni i Rithemelimit, i dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit, këtë të martë pritet të depozitojë në gjykatë ndryshimet e bëra në Statutin e Partisë Demokratike.

Ndryshimet në Statut ia propozoi Kuvendit të thirrur nga Berisha, 4.935 delegatëve por edhe militantëve të pranishëm, deputeti Oerd Bylykbashi.

Një ndryshim thelbësor i statutit sipas njerëzve të Berishës ka të bëjë me nenin se çdo akt i organeve të PD-së i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij Statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të Statutit. Pra Berisha kërkon të zhbëjë vendimin e Bashës për ta përjashtuar.

Në dokument thuhet se pas Kuvendit për 4 muajt në vijim do të ketë një Komision të Përkohshëm të Rithemelimit që merr drejtimin e ekzekutiv të PD-së deri në konstituimin përfundimtar të organeve drejtuese.  Komisioni përbëhet nga 15 anëtarë që zgjidhen nga Kuvendi kombëtar.

Në Statut parashikohet edhe një nen i veçantë është edhe për procesin e zgjedhjeve. Procesi nis me krijimin e organeve të reja dhe paraprihet nga një proces anëtarësimesh të reja dhe verifikimi i anëtarësisë ekzistuese.

Deputeti Bylykbashi tha se futja e referendumit, primaret, por edhe forcimi i organeve kolegjiale janë disa nga pikat e statutit të ri të PD-së. Një tjetër pikë lidhet me sanksionimin në statut të faktit që nëse humbet zgjedhjet pavarësisht arsyes, largohesh.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat