SPAK kërkon paraprakisht leje nga Edi Rama për të arrestuar zyrtarë të lartë, përderisa të gjithë japin dorëheqjen pa arsye përpara se të arrestohen. Kështu u shpreh në emisionin “Shock” analisti Andi Bushati.
Ai tha se arrestimet bëhen me dirigjim të kryeministrit dhe se SPAK nuk vepron nëse Edi Rama nuk e ka dhënë miratimin e tij për arrestimin e dikujt.
Analisti Bushati u nis nga rasti i arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka ditën e sotme, i cili me datë 1 shtator hoqi dorë nga mandati i deputetit në qarkun e Durrësit, ndërsa gjatë qeverisjes së kaluar të PS-së dha dorëheqjen nga posti i tij si ministër i Mjedisit.
“Fakti që dy muaj përpara i thotë Lefter Kokës të bëjë një dorëheqje pa shpjegim, se gjasme u plak dhe s’është më për politikë, mua më ngre dyshimit njësoj si me tenderin e uniformave e policisë, që zyrtarët para i përjashton ministri dhe më pas i arreston SPAK, kemi një drejtësi me leje të Edi Ramës”, u shpreh Andi Bushati.
“Vetëm pasi Rama i bën dalje, hyjnë këta trimat e SPAK dhe arrestojnë”, shtoi ai.
Andi Bushati e cilësoi veprimtarinë e SPAK si një teatër me drejtësinë.