Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi sot në Kuvend se, rinovimi i marrëveshjes mes Shqipërisë, Britanisë së Madhe dhe Irlandës për ripranimin e personave, është një instrument i rëndësishëm dypalësh për të adresuar flukset migratore në një kontekst krejtësisht të ri.
Duke folur për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për ripranimin e personave dhe protokollit zbatues të marrëveshjes”, Çuçi tha se marrëveshja nuk ka diçka të re.
“Marrëveshja që kemi sjell sot nuk është diçka e re, ne kemi pasur marrëveshje bilateriale me Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut që prej vitit 2003 për sa i takon riatdhesimit, por zhvillimet ndërkombëtare me dinamika të ndryshme lindën nevojën e rinovimit të këtij instrumenti juridik dhe kryesisht kjo marrëveshje vjen edhe si propozim i Qeverisë Britanike në kuadër të daljes së saj nga Bashkimi Evropian. Kjo marrëveshje është hartuar duke u bazuar në ‘modelin komunitar’, në frymën e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, në pajtim me legjislacionin kombëtar të të dy shteteve, pa paragjykuar angazhimet e tyre të mëparshme, bazuar në marrëveshjet dypalëshe, shumëpalëshe me vendet e treta, duke respektuar parimet dhe rregullat e shkëmbimit të informacionit mbi të dhënat personale”, tha Çuçi .
Me ratifikimin e marrëveshje, Çuçi thotë se të dyja vendet zotohet për ngritjen e një kuadri të përbashkët ligjor operacionale mbi cështjet e larpërmendura.
“Me ratifikimin e kësaj marrëveshje të dy vendet tona zotohen për ngritjen e një kuadri të përbashkët ligjor operacional mbi çështjet e lartpërmendura, në përputhje me kërkesat dhe normat e së drejtës ndërkombëtare dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shqipëria dhe Britania e Madhe do të forcojnë bashkëpunimin ndërmjet tyre në lidhje me luftën kundër fenomenit të migracionit të parregullt. Të dy vendet tona do të zhvillojnë bashkëpunim teknik dhe operacional në fushën e menaxhimit të migracionit të parregullt dhe sigurisë së brendshme”, u shpreh Çuçi.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje, sipas Çuçit është në kuadër të përmbushjes së prioriteteve të qeverisë shqiptare në luftën kundër fenomenit të migracionit të parregullt.
“Kjo marrëveshje në vetvete nuk është një legjislacion për të përafruar legjislacionin shqiptarë me atë të BE, por është në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi vendas dhe atë ndërkombëtar. Nënshkrimi i saj është në kuadër të përmbushjes së prioriteteve të qeverisë shqiptare në luftën kundër fenomenit të migracionit të parregullt”, tha Çuçi.
Ministri nënvizoi se, “garantimi i migracionit të sigurt dhe të rregullt nga, përmes, dhe drejt Shqipërisë, fenomen i cili ndikon drejtpërdrejtë në sigurinë e brendshme të vendit, sigurinë e fqinjëve por edhe më gjerë në mbarë BE, mbetet një nga objektivat tanë kryesorë në fushën e çështjeve të brendshme. Fenomeni i imigracionit të parregullt, si kërcënim kryesor i sigurisë, shoqërohet dukshëm me vepra kriminale si trafikimi i qenieve njerëzore, kontrabandimi i emigrantëve, përdorimi në masë të gjerë i dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit si dhe lëvizja e individëve të përfshirë në akte terroriste apo ekstremisht të dhunshëm”.
Ai ka folur edhe për Stategjinë Kombëtare të Migracionit dhe Planin e Veprimit (2019-2022) të miratuar në qershorin e 2019-tës.
“Në qershor 2019 ne miratuam Strategjinë Kombëtare për Migracionin dhe Planin e Veprimit (2019-2022), ndërsa në dhjetor 2020 u miratua Strategjia Ndërsektoriale e Menaxhimit të Integruar të Kufirit 2021-2027 shoqëruar me një Plan Veprimi 2021-2023. Vizioni dhe masat e parashikuara në këto dokumente strategjikë janë ambiciozë dhe nëpërmjet tyre synohet t’u jepet përgjigje sfidave dhe të përballohen nevojat e identifikuara”, theksoi Çuçi.
Megjithatë, shtoi ai, “siç e pata shprehur edhe në takimin me homologen time në Britani pak javë më parë, ku isha për një vizitë zyrtare, emigracioni i jashtëligjshëm, kurrsesi nuk mund të adresohet si problem pa përmirësuar kushtet e emigracionit të ligjshëm. Kërkova prej saj të rishikojë edhe njëherë regjimin e trajtimit të shtetasve shqiptarë, që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe, për t’i lehtësuar në raport me mundësi të reja punësimi apo lëvizje sezonale. Të them të drejtën, më erdhi mirë që gjeta një mirëkuptim duke më shprehur gjithashtu edhe homologia, angazhimin për të bërë gjithçka që duhet për integrimin e shqiptarëve në Britaninë e Madhe”.
“Në marrëveshjen që kemi sjell sot në Kuvend, janë parashikuar rregullat dhe parimet mbi të cilat do të zbatohet bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, rastet e bashkëpunimit sipas kërkesës, por edhe rastet e bashkëpunimit pa kërkesë, duke filluar që nga mënyra e aplikimit për ripranim, kostot e transportit e deri mbrojtja e të dhënave personale apo veprimet që ndërmerren në rastet e ripranimeve të gabuara”, tha Çuçi.
“Për realizimin e Marrëveshjes, palët do të lidhin sigurisht një protokoll-zbatimi të saj, që do të përcaktojë rregulla mbi përcaktimin e autoriteteve kompetente, pikat e kalimit kufitar, shkëmbimin e pikave të kontaktit, kushtet për kthimet e shoqëruara, kalimet tranzit të shtetasve të vendeve të treta dhe personave pa shtetësi. Marrëveshja parashikon verifikimin dhe identifikimin e shtetasve subjekt kthimi/ripranimi, duke komunikuar çdo informacion për ta, duke konsultuar bazën e të dhënave vetëm për qëllim të zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, u shpreh Çuçi.
Ai shtoi se, “shërbimet kompetente të policive kufitare të palëve të ndërsjella, do të ndjekin dhe forcojnë bashkëpunimin e tyre në fushën e menaxhimit të situatave migratore të parregullta, bashkëpunim i cili do të konsistojë në, analizën e flukseve migratore, shkëmbimin operacional të informacionit dhe ripranimet. Do të shfrytëzohen praktikat më të mira dhe do të krijohen praktika të reja me asistencë operacionale reciproke në fushën e migracionit të paligjshëm”.
Çuçi shprehu bindjen se, “rinovimi i kësaj marrëveshjeje pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE, është një instrument i rëndësishëm dypalësh për të adresuar flukset migratore në një kontekst krejtësisht të ri”./Atsh/