Rrëfehet Berisha, paralajmëron fundin e skenarit antishqiptar: Ja çka do të ndodhë më 20 dhjetor

Shqipëria

Rrëfehet Berisha, paralajmëron fundin e skenarit antishqiptar: Ja çka do të ndodhë më 20 dhjetor

Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 22:13
Sali Berisha

(E plotësuar 23:01) - Sali Berisha sfidon edhe Fatos Nanon

Sali Berisha thotë se rikthimi i tij në politikë ka qenë një thirrje e brendshme mistike dhe jo për shkak të shpalljes non grata nga SHBA.

“Rikthimi është thirrje e brendshme. Rikthimi është thirrje e brendshme dhe këto rikthime e kanë atë mistiken e tyre”, u shpreh Berisha në Opinion.

Më pas, ai “sfidoi” edhe Fatos Nanon.

“Le ta provojë Fatos Nano të rikthehet po të dojë. Shkoni dhe i thoni”, tha ai.

Berisha tregon takimin e parë me Bashën

Sali Berisha rrëfeu se si e ka njohur për herë të parë Lulzim Bashën.

“Lulzim Bashën për herë të parë e kam njohur me pantallona të shkurtra. Më ka ardhur në zyrë me Barent Cohen, që për mua ishte një personalitet. Për mua në takim Barent Cohen e solli Lulzim Basha”, tregoi Berisha në Opinion.

Ish-kryeministri tha se që nga ajo kohë ka pasur njohje edhe me bashkëshorten e Bashës.

“Aurela basha bashkë me një zonjë tjetër amerikane, kishin një organizatë të shoqërisë civile me të cilën ndiqnin jetën parlamentare në kuvendin shqiptar dhe vinin rregullisht edhe në strasburg ishin financim i shtetit holandez”, tha ai.

Berisha tregon telefonatën nga Uashingtoni: Më thanë Basha do të prangoset

Ish-kryeminsitri Sali Berisha ka bërë një deklaratë të fortë për kryedemokratin Lulzim Basha, pasi u shrpeh se miq të tij nga Uashingtoni i kanë thënë që Basha do të arrestohet për dosjen “Muzin”.

Ai u shpreh se në fillim i ka kundërshtuar, pasi nuk e dinte si qëndronte çështja, por shtoi se e kuptoi më vonë që dosja për Bashën kishte ardhur në Shqipëri, por nuk ishte dërguar në Prokurori. Sipas tij, kjo tregon që Basha ëëhtë marrë peng nga Edi Rama me këtë dosje.

“Unë e kam ndjekur, Muzin nuk ka deklaruar për Lulzim Bashën në fillim, ndërsa më pas ka ndryshuar dëshminë. Më kanë marrë në telefon miq nga Uashingtoni dhe më kanë thënë “Lulzim Basha do prangoset”. Unë u thosha “nuk është e vërtetë”, pasi nuk e dija si ishte puna. Kur mora vesh se dosja erdhi por nuk u dorëzua në prokurori, atëherë e konsideroj atë të marrë peng”, tha Berisha në Opinion.

Dosja “Muzin” ka të bëjë me pagesat e bëra nga Partia Demokratike për lobim në SHBA, ku thuhet se është e përfshirë edhe një kompani ruse, por nuk dihet se cili ka qenë burimi financiar që ka bërë derdhjet e më shumë se 700 mijë dollarëve në llogarinë e rusëve.

“Nëse do të kishte pranuar kërkesën time, nuk do ta shkarkoja” / Berisha rrëfehet për përplasjen me Bashën

Më 18 dhjetor, në të njëjtën ditë që Lulzim Basha ka thirrur Kuvendin e Partisë Demokratike Sali Berisha ka thirrur anëtarësinë në një referendum për të votuar me po ose jo vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Bashës.

Berisha shpjegoi se referendumin e ka thirrur në mungesë të forumeve të partisë që certifikojnë vendimin e Kuvendit.

“Partia ka gjykatë, por kjo gjykatë është anuluar nga kuvendi dhe kuvendi zgjodhi ta ratifikojë këtë vendim në referendum te anëtarësia. Basha është minoranca më e thellë që ka ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri, ne po e bëjmë për të respektuar anëtarin. Nëse Basha do të kishte pranuar kërkesën time për të thirrur kuvendin, puna nuk do të shkonte deri këtu”, tha Berisha.

Gjatë një interviste për Opinion, ish-kryeministri rrëfeu një dialog, sipas tij, mes Palokës dhe Bashës.

“Paloka i ka thënë që Basha duhej të votëbesohej te anëtarësia pas këtyre që ndodhën, por ai i ka thënë se me Berishën kundër nuk do të bëntë kurrë këtë”, u shpreh ai.

Akuzat e Bashës për 21 Janarin, Berisha: Kam qenë në zyrë, ku ishte Basha nuk e di

Ish-Kryeministri Sali Berisha është pyetur në emisionin “Opinion” lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij nga kreu i PD Lulzim Basha lidhur me rolin e tij në ngjarjet e 21 Janarit. Duke ju përgjigjur gazetarëve, Berisha tha se atë ditë ka qenë në zyrën e tij, ndërkohë që Basha nuk dihet se ku ka qenë.

Pjesë nga biseda në studio:

Fevziu: Di ndonjë gjë për zoti Basha për 21 Janarin që ne nuk e dimë?

Berisha: Basha është bërë bashkë me zotin Rama për 21 Janarin. Meqë jemi këtu do them. Ka një përcaktim të kryetares së OSBE-së në atë kohë që ajo ishte axhendë pushteti, është zyrtare.

Ka një fakt tjetër. Sali Berisha ka qenë jashtë zyre duke drekuar me ambasadoren e Republikës Federale Gjermane dhe është kthyer në zyrën e tij dhe nuk ka lëviz nga zyra asnjë moment. Ka një fakt tjetër që zyra e tij është qëlluar me plumba dhe ai ka qëndruar në zyrë. Se ku ka qëndruar Lulzim Basha nuk e di.

Fevziu: Ka qenë Ministër i Brendshëm…

Berisha: Është bërë skllav dhe peng i Edi Ramës dhe tregon narrativën e tij.

Fevziu: Ka ndonjë gjë që ne nuk e dimë dhe zoti Basha mund të na e thotë lidhur me 21 Janarin?

Berisha: Çfarë kam dit unë e kam thënë

Berisha thërret protestë ditën që në Tiranë mbërrin Vuçiq: Më 20 dhjetor, kundër Ballkanit të Hapur

Sali Berisha ka thirrur më datë 20 dhjetor protestën e parë kombëtare, siç thotë ai.

“Më datë 20 kombi është në protestë. Merr fund skenari antishqiptar i Ballkanit të Hapur. Dy qëllime kryesore, kundër ballkanit të hapur, së dyti kundër vjedhjes kombëtare”, tha Berisha në Opinion.

Protesta do të mbahet dy ditë pas kuvendit të thirrur në PD nga Lulzim Basha dhe në të njëjtën ditë kur në Tiranë mbërrin Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç në kuadër të takimit të radhës për Ballkanin e Hapur.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat