Një ditë para mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të PD, Lulzim Basha u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve që të jenë të pranishëm.
Me fokus bashkimin dhe jo përçarjen, Basha ka publikuar fillimisht një video mesazh në rrjetet sociale, ku e cilëson 18 dhjetorin si ditën kur demokratët do të zgjedhin të ardhmen.
Nga ana tjetër, ai u ka dërguar një mesazh personal në telefon të gjithë anëtarëve ku thekson se pjesëmarrja është e rëndësishme, pasi interesi i demokratëve është mbi atë personal.
Për Bashën, Kuvendi është dhe një përgjegjësi kundër atij që ai e quan, regjim i kryeministrit Rama.
I dashur anëtar i Kuvendit Kombëtar,
Nesër, e shtunë, datë 18 Dhjetor, ora 11:00, në Pallatin e Kongreseve, Tiranë, mblidhet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, me përgjegjësinë historike për të qenë të bashkuar kundër regjimit të Edi Ramës. Pjesëmarrja e secilit prej nesh, është mesazhi i qartë që interesi i demokratëve dhe PD, sakrifica e tyre, është mbi interesin personal të cilitdo. Ne zgjedhim të ardhmen, për PD, për Shqipërinë”
Por ndërsa Basha kërkon pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve, nga ana tjetër lëvizja e foltores, e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha do të zhvilloje në të gjitha degët e PD në rrethe referendumin për shkarkimin e kryedemokratit.
Vendim ky i marrë në Kuvendin Kombëtar të mbajtur nga Berisha një javë më parë, ku u ndryshua statuti dhe u votua për largimin e numrit një të demokratëve.
18 dhjetori pritet të jetë vendimtare sa i takon të ardhmes së Partisë Demokratike, pasi demokratët do të vendosin mes Bashës dhe Berishës.