“As armikut nuk i bëhet kjo”! Këlliçi: Hodhën vaj te Njësia 1, kyçën dyert në disa degë!

Shqipëria

“As armikut nuk i bëhet kjo”! Këlliçi: Hodhën vaj te Njësia 1, kyçën dyert në disa degë!

Më: 18 dhjetor 2021 Në ora: 09:57
Belind Këlliçi

Kreu i Komisionit të Rithemelimit, Belind Këlliçi, foli nga qendra e votimit para ambasadës amerikane për referendumin e thirrur nga Sali Berisha, që ka nisur në mbarë vendin që prej orës 08:00.

Këlliçi tha se ka një pjesëmarrje masive në procesin e votimit, siç nuk ka ndodhur kurrë në një proces të brendshëm të PD në këto 31 vite.

“Sot është një ditë shumë e bukur. Rrallë keni parë këtë lloj masiviteti dhe interesi nga anëtarësia e PD për të marrë pjesë në një proces të brendshëm, është referendumi i parë në 31 vite. Ka pasur masivitet në të 106 qendrat e votimit. Sot mbahet një referendum për shkarkimin e ish-kryetarit të partisë. Jam i bindur që do të shihni një proces model, dhe jam i bindur se histori si ato që kemi parë në Berat, të atij zotërisë që kishte ardhur nga Athina dhe merrte pjesë për herë të parë, na mbushin me shpresë se PD do të ringrihet më e fuqishme se kurrë. Beteja jonë është vetëm me Edi Ramën. Pas kësaj dite, ne menjëherë do të përveshim mëngët dhe të nisim betejën frontale me keqqeverisjen e Edi Ramës”, tha Këlliçi.

Sa i takon përplasjeve dhe kaosit në PD, Këlliçi deklaroi se “Është e vërtetë që ka një debat shumë të fortë në PD. Sigurisht që peshorja anon dukshëm nga njëra anë, nga ajo anë që kërkon hapjen e PD, kërkon një PD më të bashkuar. Unë në këto 12 vite të jetës sime aktive në PD, nuk kam parë kurrë radhë të tilla si sot në një proces të brendshëm të PD, dhe kurrë që qytetarët të qëndrojnë në radhë për të votuar. Keni parë demokratë që kanë ardhur me tesera të viteve 1990. Risia e këtij procesi votimi është që po rikthehen në PD dhe po marrin pjesë qëndrestarë, themelues, që kishin shumë vite pa qenë pjesë e PD.

Pala tjetër vazhdon t’i bjerë murit me kokë. Sot kemi parë skenarë shumë të shëmtuar, si ai te njësia nr.1, ku është hedhur vaj për të rrëshqitur demokratët. Kjo nuk i bëhet as armikut. Kemi parë skenarë si ai në Sarandë, ku është mbyllur selia, është kyçur, dhe komisioni është vendosur jashtë për të zhvilluar votimin. Ne sot kemi të rëndësishëm mbarëvajtjen e procesit. Me të mbaruar procesi, do jetë Kuvendi dhe Komisioni i Rithemelimit që do të vendosin për hapat e radhës. Duhet të dalë rezultati, ta presim me qetësi, për të parë çfarë do të ndodhë nesër”.

Ndërsa i pyetur se “Si ndiheni që Berisha është ‘non grata’”, Këlliçi u shpreh se “Nuk kemi asnjë damkë, përveç një problemi që kemi, që për herë të parë ndodhemi në një mandat të tretë në opozitë. Unë do doja shumë që këtë lëvizje ta kishte pasur vullnetin një figurë tjetër në PD për ta udhëhequr, por fakti është që Berisha, me eksperiencën e tij politike, me këmbënguljen e tij, është fakt që lëvizjen e drejtoi ai. Foltorja shihet si i vetmi instrument për të bërë ndryshime në PD”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat