Partia Demokratike mbledh sot Kuvendin Kombëtar, të thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha dhe miratuar nga Kryesia e selisë blu. Rreth orës 11:50 kreu i PD-së Lulzim Basha ka lënë selinë e PD dhe i është drejtuar Pallatit të Kongreseve. Kërkesës për një prononcim nga gazetarët, Basha iu përgjigj duke i ftuar në Kuved. “Ju mirëpres në Kuvend”, përsëriti Basha.
Mbledhja e Kuvendit të PD do të zhvillohet te Pallati i Kongreseve, i cili mban 3 mijë ulëse, ndërsa mësohet se delegatët e tjerë do të qëndrojnë edhe në holl, ku janë vendosur ekrane dhe bokse të mëdha.
Nën sloganin “Të zgjedhim të ardhmen”, kryedemokrati Basha dhe demokratët e tjerë do të japin mesazhet e tyre në podium, ndërsa çështja kryesore e diskutimit do të jetë pikërisht situata e krijuar brenda partisë, ku ish-kryeministri Sali Berisha është ngritur kundër Bashës, pas vendimit të këtij të fundit, në muajin shtator, për ta përjashtuar nga grupi parlamentar, për shkak të shpalljes së tij “non grata” nga SHBA.
Ndërkohë, kujtojmë se po ditën e sotme ish-kryeministri Sali Berisha organizon referendumin për shkarkimin e kryedemokratit Lulzim Basha. Vetë Basha e ka cilësuar 18 dhjetorin si ditën e një modeli të ri në PD, ku do të lihet pas e shkuara e do të flitet vetëm për të ardhmen e Shqipërisë.
RENDI I DITËS
Mbledhja e ditës së sotme pritet të jetë e gjatë, ku do të ketë edhe vendimmarrje për ndryshimin e Statutit të PD-së.
“Vendimmarrje mbi situatën politike, si edhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e PD-së, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD-së dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.
Miratimin e aksionit politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e platformës qytetare për demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si edhe ndërtimin e mekanizmit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar, ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit, kryesisht nga të rinjtë.
Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektit ‘Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri’”, thuhet në rendin e ditës.