(E plotësuar 20:30) - Zbardhen mesazhet e Bashës në mbledhjen e kryesisë së PD
Pas përfundimit të Kuvendit Kombëtar, Lulzim Basha ka mbledhur kryesinë në selinë e PD.
Mesazhet kryesore që dha në mbledhje janë:
1.Mirënjohje e jashtëzakonshme për sakrificën tuaj në kushte të jashtëzakonshme. Pavarësisht gjithçkaje, 5004 delegatë të pranishëm ishin për shkak të sakrificës shumë të madhe të demokratëve.
2. Përgatitje për shtrirje në terren në funksion të organizimit të partisë dhe përgatitjen e partisë për zgjedhje.
Basha pas Kuvendit: Jam krenar, hapën një faqe të re për PD-në
Kreu i PD-së Lulizm Bash ka postuar në Facebook një video ku shihen momente nga Kuvendi i Partisë Demokratike.
Krah videos, Basha shkruan se është krenar për guximin me të cilin Kuvendi Kombëtar vendosi të zgjedhë të ardhmen dhe se sot u hap nj faqe e re për PD-në.
“Jam krenar për guximin me të cilin Kuvendi Kombëtar vendosi të zgjedhë të ardhmen, vendosi të hapë një faqe të re për Partinë Demokratike, për ta shndërruar atë në alternativën më të pastër, në shpresën më të bukur që shqiptarët kanë për ndryshim”, shkruan Basha.
***
Kryetari i PD, Lulzim Basha u pyet nga mediat lidhur me mbledhjen që pritet të zhvillohet nga Kimisioni i Rithemelimit për të shpallur rezultatin e referendumit brenda selisë blu.
Ai e mohoi se ishte zhvilluar ndonjë referendum duke thënë se nuk ka asnjë informacion se ata që kishin votuar ishin anëtarë të PD.
Berisha do vijë në selinë blu së bashku me komisionin e Rithemelimit të PD, për të shpalur vendimin e rezultatit të nxjerrë nga referendumi. A do jeni të pranishëm në seli?
Basha: Nuk ka referendum. Ju nuk keni asnjë informacion se ata janë anëtarë të PD ndërsa unë e di se disa prej tyre nuk kanë qenë.
Basha pas përfundimit të Kuvendit hedh poshtë referendumin: Ka vetëm një parti dhe një Kuvend
Kryedemokrati Lulzim Basha ka dhënë një prononcim për mediat teksa ndodhej në hyrje të selisë blu.
Ai ka thënë se sot ka pasur vetëm një aktivitet PD dhe ajo ka qenë Kuvendi Kombëtar.
“Kjo është shtëpia e demokratëve dhe ato janë krenarë për atë që kemi arritur për Shqipërinë. Mund të kishim qenë vend anëtar në BE. Mund të ishim vendi i parë nga vendet Lindore që mund të ishim në BE. Këtu kanë përgjegjësi, Presidenti i vendit atëherë, Berisha që pranoi një standard të pa pranueshëm. E sotmja tregoi qartë vullnetin e demokratëve. Ne do të qëndrojmë të qetë në shtëpinë e demokratëve. Do të qëndrojmë me vetëdije për gabimet e të kaluarës. Gabimet e së kaluarës kur përsëriten në mënyrë tragji-komike nuk do të mbajnë peng demokratët. Ka pas vetëm një aktivitet sot dhe ai ka qenë Kuvendi Kombëtar i PD”, tha Basha.
Pyetjes se grupi për rithemelimin e PD ka deklaruar se do e shpallin rezultatin e Referendumin brenda në seli, Basha iu përgjigj:
“Nuk ka referendum, ka një PD dhe një Kuvend që sapo mori një vendim sot. Ka disa anëtarë të PD që i bëj thirrje të bashkohen vendimeve të institucioneve të PD. Partia Demokratike ka pasur një aktivitet sot, ka qenë Kuvendi i PD. Ka një PD, që ka pasur një kuvend Kombëtar, të tjerat janë përpjekje personale të një njeriu që do ti kthejë demokratët në mish për top. Ai ka vendosur interesat e tij mbi ato të demokratëve, kjo mori fund sot”.
Pas më shumë se 7 orë, mbyllen punimet e Kuvendit Kombëtar
Kuvendi i Partisë Demokratike, i mbledhur sot në Pallatin e Kongreseve, mbylli punimet e tij.
“Zgjedhja e tij e paprekshme”, Duma nuk lë gjë pa i thënë Berishës
Grida Duma mbajti fjalimin e saj sot në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, dhe kishte një lumë ankesash e kritikash ndaj Sali Berishës.
Ajo gjithashtu i konsideroi të pafalshme foltoret e Sali Berishës, pasi sipas saj janë manipulatore totale të ndjenjave të demokratëve për interesa të tij.
Duma e konsideroi aktualisht Berishën të keqen më të madhe të Partisë Demokratike.
“Ai nuk e shlyen dot fajin se nuk e hapi gojën 8 vjet rresht, por e mbrojti Bashën nga çdo vranësirë e motit tonë politik. Basha ishte zgjedhja e tij e paprekshme. Berisha ishte rrufepritësja më e madhe mbi zyrën e Bashës. Ai nuk e shlyen dot fajin me abuzimin e ndjenjave që ka bërë ndaj demokratëve me foltoret e tij anti-amerikane.
Berisha ka humbur të drejtën për të qenë drejtuesi moral i kësaj partie, ashtu si ka humbur të drejtën të jetë kritikues i kësaj partie. Mos merremi më me Berishën, ta lëmë atë në shejtaninë e vet. Udhëhiq Lulzim Basha, dhe do kesh mbështetjen time, por në rastin e parë që do bësh gabim, do të të kritikoj hapur,” tha Duma.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/December/18/auto_-800-0-61be0a5300c4e1639845259.jpg)
Grida Duma gjen fajtorin për krizën në PD: Kryetar, ti je më i pafajshmi
Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma ka folur në Kuvendin e 18 dhjetorit, i mbledhur nga kreu Lulzim Basha.
Gjatë fjalës së saj, Duma është shprehur se fajtori i gjithë kësaj situate, në të cilën ndodhet PD, është Sali Berisha. Sipas saj, ishte ky i fundit që nuk e kërkoi dorëheqjen e Bashës pas humbjes në zgjedhje. Përkundrazi tha ajo, ai vrapoi i pari për ta mbrojtur.
Ndër të tjera Duma u shpreh se Basha është më i pafajshmi dhe se fajtori është Berisha.
Miratohet rezoluta e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike
Tanimë Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) ka miratuar rezolutën e propozuar nga Këshilli Kombëtar e që nuk njeh Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga ish-kryetari i kësaj partie, Sali Berisha.
Në këtë rezolutë thuhet se tubimin e 11 dhjetorit janë falsifikuar e përdorur simbolet dhe logot e PD në thyerje flagrante të normave statutore dhe ligjore. Aty thuhet e Kuvendi Kombëtar i datës 18 dhjetor (sot) është Kuvendi i vetëm i ligjshëm e gjithëpërfshirës i demokratëve, ku do të diskutohet, debatohet e vendoset në mënyrë demokratike për thellimin e demokracisë se brendshme dhe fuqizimin e PD-së përballë sfidave të kohës.
Rezoluta e plotë:
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike i mbledhur sot në 12 dhjetor 2021 në përmbushje të përgjegjësive të veta politike dhe statutore, si organi më i lartë i Partisë Demokratike midis dy Kuvendeve,
-Diskutoi mbi situatën shqetësuese të krijuar nga lëvizja e zotit Sali Berisha pas pezullimit të tij nga Grupi Parlamentar dhe tubimi i tij përmbledhës i datës 11 dhjetor;
-Konstatoi se thirrja e këtij tubimi me pretendimin se po mblidhte një Kuvend të Partisë Demokratike dhe të ashtuquajturat “vendime” shkelin të gjitha normat e Statutit të PD-së që rregullojnë funksionimin dhe vendimarrjen e saj si institucion politik;
-Vëren se tubimi falsifikoi dhe përdori simbolet dhe logot e Partisë Demokratike në thyerje flagrante të normave statutore dhe ligjore;
-Vlerëson se lëvizja “Berisha” dhe tubimi i djeshëm si finalizim i saj janë një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në shbërjen e saj si forca më properëndimore në vend, duke synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbojtjen e interesave personale të Sali Berishës përballë SHBA.
-Konkludon se çdo i ashtuquajtur qëndrim apo vendim i këtij tubimi është nul dhe nuk ka asnjë vlerë politike dhe ligjore për Partinë Demokratike.
-Afirmon se Kuvendi Kombëtar i datës 18 dhjetor është Kuvendi i vetëm i ligjshëm e gjithëpërfshirës i demokratëve, ku do të diskutohet, debatohet e vendoset në mënyrë demokratike për thellimin e demokracisë se brendshme dhe fuqizimin e PD-së përballë sfidave të kohës.
- Konsideron se duke instrumentalizuar disa problematika të brendshme të Partisë Demokratike, shqetësimet dhe ndjeshmëritë e sinqerta të mjaft demokratëve pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, si dhe duke mobilizuar e mbedhur rreth vetes një grup organizatorësh me agjendë dhe interesa personale të së shkuarës dhe të sotmes, lëvizja “Berisha” për të shantazhuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç e deklaroi hapur në fjalën e tij, Sali Berisha hodhi dje bazat e një organizatë politike me frymëzim antiamerikan që vetëm me PD-në nuk ka e nuk do të ketë asnjë lidhje kurrë. Kjo është lëvizja e parë antiamerikane në historinë e tri dekadave të sistemit demokratik dhe e dyta në historinë e Shqipërisë pas asaj të Enver Hoxhës.
-Partia Demokratike distancohet me forcë dhe dënon lëvizje të tilla që bien ndesh me përcaktimet identitare të saj, me interesat e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve, me marrëdhëniet strategjike jetike të Shqipërisë dhe Kombit shqiptar me SHBA.
-Këshilli Kombëtar apelon demokratët që ishin në tubimin e 11 dhjetorit për shqetesimet e tyre legjitime, që nuk kanë lidhje me agjendën dhe interesat përsonale të Sali Berishës, të reflektojnë dhe të qëndrojnë të bashkuar me shumicën e demokratëve rreth historisë dhe vlerave të shenjta të Partisë Demokratike.
-Këshilli Kombëtar e konsideron luftën kundër korrrupsionit dhe pandëshkushmërisë në sferat e larta si një element kyç për vendosjen e shtetit të së drejtës, mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, integrimin e Shqipërisë në BE, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, zhvillimin dhe mirëqenien e familjeve shqiptare. Në ketë luftë vendosja nga SHBA e antikorrupsionit si përparësi e politikës së saj dhe përdorimi i sanksioneve kundër zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar në Shqipëri ka qenë dhe është një faktor vendimtar për shembjen e sundimit aktual dhe shumëvjeçar të korrupsionit dhe paligjshmërisë në vend
-Këshilli Kombëtar shpreh vlerësimin dhe e mbështetjen e plotë për ngritjen në një nivel të ri dhe më të ngushtë të marrëdhënive të bashkëpunimit të Partisë Demokratike dhe kryetarit të partisë me SHBA.
-Këshilli Kombëtar mbështet të gjithë veprimtarinë dhe vendimarrjen e Kryetarit, Kryesisë dhe Grupit Parlamentare për mbrojtjen e interesit të Partisë Demokratike dhe vlerave të saj si opozita dhe altenativa e vetme për largimin e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e demokratëve si forcë qeverisëse.
Para mbështetësve të tij demokratë, Lulzim Basha ka pranuar se në 8 vite që ai qëndron në krye të Partisë Demokratike ka qënë ‘në mëdyshje’ për shkak të dualizmit dhe protagonizmit të Sali Berishës.
Krydemokrati u kërkon falje demokratëve dhe ju siguron se sot partia ka një kryetar dhe do të ketë gjithnjë vetëm një kryetar, ndërsa premton se do të rregullojë gabimin e tij!
Sipas tij, ky moment në Partinë Demokratike është një moment historik ku të gjithë duhet të zgjedhin partneritetin përjetshëm me Shtete e Bashkuara të Amerikës.
***
“Gabimi im më i madh është mbajtja, apo lejimi i dualizmit në drejtimin e PD-së. Dualizmit në përceptim dhe dualizmit real, kur ish kryetari e bëri funksion de facto dublimin e kryetarit, e bëri rutinë hijezimin e kryetarit me protagonizmin e tij.
Faktet janë me qindra mijëra. Kushdo i ka parë. Kjo histori nuk ndaloi tetë vjet me radhë. Është përgjegjësia ime që nuk kam mundur ta zgjidh në kohën e duhur ketë nyje gordiane. Berisha nga ana tjetër ka qenë i njoftuar se protagonizmi i tij është një barrë për rritjen dhe fitoren e Partisë Demokratike.
Megjithatë, unë u kërkoj sot ndjesë demokratëve, me bindjen se ata kanë një ide të qartë për hezitimin tim, që ka qenë edhe hezitimi i shumë prej tyre. Njohja e gabimeve është premisa e korrigjimit të tyre. Në këtë kuvend të lirë, unë mbaj shënim me respekt për gabime të tjera nga diskutimet tuaja. Dua të nënvizoj se kapërcimi i dualizmit përbën zgjidhjen e një prej nyjeve të krizës për të cilën po flasim. Sot partia ka një kryetar dhe ajo duhet të ketë gjithnjë një kryetar.
Nga ana tjetër, ne caktuam një standart në qëndrimin tonë ndaj personave që shpalleshin non grata nga SHBA: përjashtimin e tyre nga politika. Sepse përdorimi nga SHBA i sanksioneve kundër zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të korruptuar në Shqipëri ka qenë dhe është një faktor vendimtar për shembjen e sundimit aktual dhe shumëvjeçar të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri.
Cfarë mund të bënin ne, çfarë mund të bëja unë kur goditja ra në shtëpinë tonë? Të shkelja standartin që vetë ne, të gjithë bashkë, nga I pari tek I fundit, përfshirë vetë Sali berishën e kishim vendosur, atëherë kur shpalljet non grata binin mbi bashkëpunëtorë dhe aleatë të Ramës? A nuk do të ishte ky kulmi i hipokrizisë para shqiptarëve?
A do të kishim fytyrë të përmendnim antikorrupsionin, a do të na besonte njeri, a nuk do të bëheshin shkrumb e hi si parulla bajate qëndrimet e zotimet tona”, tha Basha.
***
![Image](/media/botasot.info/images/2021/December/18/850x636_ghklkhlh1639828903.jpg)
Në Kuvendin Kombëtar të PD, Lulzim Basha ka folur sërish për atë që ai e ka quajtur “trekëndëshi i Bermudës”, duke nënkuptuar këtu Edi Ramën, Ilir Metën dhe Sali Berishën.
Nga podiumi i Kuvendit të PD, kryedemokrati Basha tha se partia e tij është e vendosur të shkërmoqë “trekëndëshin e Bermudës”, që sipas tij, “prej dekadash besojnë se mbijetesa e tyre politike është më e rëndësishme se mirëqenia e qytetarëve”.
Pjesë nga fjala e Bashës:
I ashtuquajturi sovranizëm i kastës 30-vjecare, i mbështetur fuqishëm nga oligarkët dhe mediat e tyre, është kundër këtij roli të ndërkombëtarëve sepse ata duan të jenë rehat, të shijojnë siç kanë shijuar, të pasurohen me korrupsion sic janë pasuruar, të mbajnë në këmbë sundimin e tyre në kurriz të shqiptarëve që vetëm varfërohen.
Demokratët, ashtu si shumica dërmuese e popullit shqiptar, e duan dhe presin një rol edhe më aktiv të SHBA e partnerëve europianë kundër korrupsionit, që është plaga më e madhe sot për vendin. Demokratët nuk janë e nuk mund të jenë të ndarë “sovranistët kundër SHBA ” në një anë dhe “proamerikanë kundër sovranistëve” në anën tjetër. Të gjithë jemi sovranë e atdhetarë në një Shqipëri demokratike, euro-atlantike. Partia Demokratike është e vendosur të përballet me këtë kastë që e do Shqipërinë të izoluar, Partia Demokratike është e vendosur të përballet me ktë regjim që e do Shqipërinë pa të drejta, pa liri, pa të vërteta. Që shkel ligjet, pasurohet duke vrarë shëndetin dhe ekonominë, grabit buxhetin e shqiptarëve, shantazhon dhe blen drejtësinë dhe median. Askush nuk mund të pretendojë se nuk e sheh dhe nuk e kupton.
Por Partia Demokratike nuk mund ta pranojë këtë kurrë. Ne jemi vendosur të përballemi me ata që prej dekadash besojnë se mbijetesa e tyre personale është më e rëndësishme se mirëqenia e popullit tonë, Partia Demokratike është e vendosur në shkërmoqjen e trekëndëshit të Bermudës dhe prodhimit të saj të fundit politik, regjimit të Edi Ramës përmes masakrës zgjedhore. Që ethshëm ka synuar të cënonte ekzistencën dhe qendrueshmërinë e Partisë Demokratike. Nuk ia kanë arritur, e nuk do ta arrijë kurrë, sigurisht falë shumicës së anëtarëve dhe delegatëve të partisë sonë të mrekullueshme, që janë sot në këtë sallë e jashtë saj. Ne kemi pasur probleme të shumta, por krenohemi që jemi partia e Dhjetorit ’90, që i ka i mbijetuar 31 viteve lufte të ashpra kundër saj, nga e majta komuniste apo nga kollona brenda nesh, deri te tentativat e të korruptuarve apo krimit të organizuar për të na dobësuar, për të na demoralizuar apo për të çfunksionalizuar Partinë Demokratike.
Ne u kthyem fuqishëm me votat e shqiptarëve, ku pa asnjë pushtet, përballë masakrës zgjedhore, fituam zemrat e shqiptarëve dhe votën e vërtetë popullore për ndryshim, pra një parti e madhe dhe e qendrueshme. Qëndrueshmëria jonë as që mund të vihet në diskutim tashmë. Partia Demokratike është një realitet politik i konsoliduar që shikon vetëm nga e ardhmja. Jo vetëm për shqiptarët në Shqipëri por për të gjithë kombin tonë. Që jo vetëm siguron qendrueshmërinë e PD, por edhe rritjen dhe zhvillimin e saj. Ne mund të humbasim një numër individësh, në një pakicë të papërfillshme, të cilët janë të brumosur, të indoktrinuar apo të lidhur me fije të ndryshme me interesat e së shkuarës, por ne do të fitojmë besimin e pjesës më të madhe të shoqërisë sonë, atë shumicë që beson si ne tek e ardhmja perëndimore e Shqipërisë. Ne do të fitojmë qytetarin normal shqiptar, votuesin civil, i cili do të ndërtojë këtu të ardhmen e tij. Ky transformin do ta më të besueshme dhe fitimtare, Partinë Demokratike, që lindi nga idealet më të mira të dhjetorit 1990, dhe që del më e pastër dhe më e forte nga ky Kuvend, gati për të zgjedhur të ardhmen.
***
Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha është duke mbajtur Kuvendin Kombëtar të kësaj partie, ka thënë se ish-kryetari i PD-së Sali Berisha në 2013 u bë sikurse iku por që në fakt nuk iku kurrë.
Basha u shpreh edhe se Berisha nuk e ka problemin me të e as me PD-në por me Shtet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Basha: Berisha xhindosjen nuk e ka me mua e PD-në, por me ShBA-të
“Kriza që po përjeton këto muaj Partia Demokratike shpërtheu në datë 9 shtator, pas vendimit tim për pezullimin e Sali e Berishës. Por kjo krizë nuk lindi atë ditë, ajo ka një parahistori që lidhet me raportin e Sali Berishës me Partinë Demokratike, të cilën e konsideron pronë private, me bashkautorët e tij të cilët i konsideron kukulla, me demokratët e thjeshtë të cilët po tregon se i konsideron numërorë topi për interesat e hallet e tij[...] Kjo krizë shpërtheu ditën kur unë mora vendimin. Xhindosja e tij zbuloi të vërtetën e hidhur se Sali Berisha bëri sikur iku në vitin 2013, por në fakt nuk iku kurrë. Kjo krizë zbuloi gjithashtu se xhindosja e tij nuk është me Partinë Demokratike, nuk është me mua, që jam pengesa që ai ta kthejë atë në një bunker kundër aleatit strategjik të shqiptarëve dhe kundër interesave të demokratëve, por xhindosjen e ka me SHBA-të”, tha Basha.
***
Kryedemokrati Basha ka nisur fjalimin e tij në Kuvendin Kombëtar që po mbahet në Pallatin e Kongreseve, përpara mijëra mbështetësve demokratë.
Basha tha se ky Kuvend është mbledhur për të thënë të vërteta që kanë kohë pa u shqiptar dhe se janë mbledhur në emër të vërtetës, kjo sipas Bashës, e vetmja rrugë për çlirimin e demokracisë.
“Delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD, deputetë të PD, anëtarë të kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të PD, përfaqësues të PD, zemrës së PD, zonja të lidhjes demokratike të gruas, mirëserdhët në Kuvendin Kombëtar të PD. Falenderoj tre parafolësit, vjetori, Ilir Dizdari dhe Rexhep Uka. Falenderoj të gjithë organizatorët, që bënë në një kohë të shkurtër Kuvendin Kombëtar të demokratëve. Shpreh kënaqësi tek ju shof të gjithëve bashkë, në një ditë kur kemi shumë për të thënë, duhet durim dhe mirëkuptim, dhe për ata që kanë patur kaq shumë për të thënë, por nuk ju është dhënë koha dhe vendi, dhe si shumë të tjerë që do të votojmë për vendimet që pret Shqipëria.
Vëllezër dhe motra nuk jemi mbledhur për ti rrahur shpatullat njëri tjetrit apo kryetarit, por për të thënë të vërteta që kemi kohë pa i shqiptuar, vetëm i kemi belbëzuar. E di që shumë mezi presin të dëgjojnë, disa mund të mërziten, sot jemi mbledhur në emër të vërtetës, sepse është e vetmja rrugë për çlirimin e demokracisë. Zgjedhim të ardhmen është një qëndrim politik në të cilin ftojmë përfaqësuesin, delegatët e Kuvendit Kombëtar. Të gjithë demokratëve, në emër të tyre gjithë shqiptarëve se thelbi asaj që do nxjerrin sot do jetë përcaktues për Shqipërinë e së nesërmes. Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër”, u shpreh Kryedemokrati.
Basha: Nuk do lejojmë në PD persona që destabilizojnë rajonin dhe Shqipërinë
Kryedemokrati Lulzim Basha goditi në mënyrë të drejtpërdrejt Sali Berishën, duke theksuar që në fillim të fjalimit të tij se nuk do të lejojnë që Brenda PD-së të ketë njerëz, të cilët me lidhjet e tyre të errëta të destabilizojnë Shqipërinë dhe rajonin.
“Si do të jetë Partia Demokratike sot, do të jetë Shqipëria nesër” ky ka qenë mesazhi tjetër përsëritur disa herë nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Basha nis fjalimin mes ovacionesh në Kuvendin Kombëtar
Kreu i Partisë Demokratik Lulzim Basha po mban fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së në Pallatin e Kongreseve.
“Mirëserdhët në Kuvendin Kombëtar të PD-së.” tha Basha.
Me dy gishtat lart, ovacione dhe brohoritje nga simpatizantët/ Ja momenti kur Lulzim Basha mbërrin në Pallatin e Kongreseve
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbërritur rreth orës 12:00 te Pallati i Kongreseve, për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD.
Kryedemokrati përshëndet me dy gishta ndërsa shoqërohet nga simpatizantë, që e presin me ovacione.
Pas mbërritjes në sallë të kryedemokratit të pranishmit janë ngritur në këmbë, ndërsa kanë brohoritur:
“Lulzim Basha”, apo “Rama ik”. Kuvendi Kombëtar i PD-së ka nisur me himnin kombëtar.